Lejet abuzive, banorët mbeten dyerve të gjykatave
Banorë të Shëngjinit vijojnë problemet prej 3 vjetësh që nga një vendim abuziv i dhënë nga KRRT-ja
LEZHË - Tetë familje të qytezës së Shëngjinit sorollaten në gjyq prej tre vjetësh duke shpresuar në anulimin e një vendimi të dhënë nga KRRT-ja e kësaj komune. Por, me gjithë shpresat e tyre për një përfundim sa më të shpejtë, çështja vijon njëkohësisht në gjykatën e Lezhës dhe në Prokurorinë e Përgjithshme duke vijuar zvarritjen.
Bëhet fjalë për një leje ndërtimi të dhënë në vitin 2006 një shtetasi, i cili do të ndërtojë një banesë 6-katëshe ngjitur me shtëpitë e këtyre familjeve, ndërtim i cili do të bllokonte plotësisht jo vetëm pamjen nga deti, por edhe dyert e dritaret e banesave përreth.
Por ndërsa ky vendim është anuluar nga këshilli i komunës Shëngjin, pritet që këtë vendim ta japë edhe gjykata, në mënyrë që banorët të mund të marrin frymë lirisht, megjithatë edhe pas 3 vjetëve ata janë ende në dyert e gjykatës së Lezhës.
Shkeljet
"...kërkesa e investitorit nuk duhej të ishte pranuar nga zyra e urbanistikës pa zgjidhur më parë marrëdhëniet me truallin, për rrjedhojë nuk duhej as të miratohej nga KRRT-ja, veprime këto në kundërshtim me ligjin për urbanistikën."
Kjo është vetëm një nga frazat e shkëputura nga raporti për kontrollin e ushtruar në komunën Shëngjin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili konfirmon shkeljet e kryera në dhënien e lejes së ndërtimit për ndërtesën 6-katëshe.
Megjithatë, kërkesa e vetë këshillit të komunës, si dhe e banorëve të përfshirë në këtë çështje për anulimin e këtij vendimi vijon të zvarritet. Një vit më parë, kryetarja e Gjykatës së Lezhës e kishte pezulluar çështjen duke pritur përfundimin e hetimeve nga ana e prokurorisë. Por ndërkohë, nga po kjo gjykatë ka rinisur procesi gjyqësor, megjithëse çështja vijon të jetë në hetim në Prokurorinë e Përgjithshme.
Banorët
"Fëmijët tanë kanë tre vjet që janë në stres, - thotë Bade Xhakaj, një nga banoret e prekura nga vendimi i dhënë nga KRRT-ja e Shëngjinit. - Kjo çështje vetëm po zvarritet dhe ne mbetëm gjyqeve", vijon ajo. "Kërkojmë vetëm drejtësi, - thotë nënë Lemja 70-vjeçare.
- Të mos kishim të drejtë, le të bënin ç'të donin. Por nuk mund të vijë tjetri dhe të na mbyllë dritaret e të na zërë rrugën e derën ku duhet të hyjmë në shtëpi, aq më tepër që këto shtëpi i kemi të ligjshme".
Sipas banorëve, të cilët nuk përtojnë të nxjerrin edhe planin urbanistik të miratuar të Shëngjinit, leja e ndërtimit e dhënë do të shkaktonte bllokimin e rrugëve për tetë familje, disa prej tyre do t'u duhet të zënë dritaret, të heqin shkallët, të hapin dyer nga ana tjetër e rrugës. Kjo për shkak se ndërtimi i miratuar, që është 6-katësh, do të ishte ngjitur me muret e shtëpive të tyre, banesa që shkojnë nga 1-3 kate.
Gjyqi
Sot në Gjykatën e Lezhës duhet të zhvillohet seanca e radhës, në të cilën banorët e Shëngjinit nuk dinë më as se cila është çështja që po gjykohet. "Gjyqtari na tha se është ndryshuar cilësimi i padisë, por nuk po kuptojmë asgjë, - thotë Leme Bahiti. - Gjyqi rinisi pa përfunduar hetimet e prokurorisë dhe pa e kërkuar ne si palë paditëse.
Është ndryshuar cilësimi i objekt-padisë, gazetarët nuk lejohen të hyjnë në gjyq, pyesim në KLD e në prokurori, na thonë vetëm se shteti nuk funksionon më.
Nuk dimë ku të përplasemi për të marrë të drejtën tonë, - përfundon nënë Lemja, teksa kthen sytë nga bregdeti i Shëngjinit e më pas nga shtëpia e saj, me shpresën se leja e ndërtimit e dhënë në kundërshtim me ligjin, nuk do të quhet e drejtë nga gjykata e Lezhës dhe se nga dritaret e shtëpisë së saj do të mund të shohë sërish perëndimin mbi det.