E Diel, 1 Nëntor 2026

Piero Vincenti: “Festivali ynë, një mundësi më tepër për të rinjtë shqiptarë”



Nuk ka qenë e thjeshtë të realizoni dy festivalet e para, keni hasur shumë vështirësi. Si e gjetët Akademinë e Arteve këtë vit?
Piero Vincenti: Në dy edicionet e kaluara nuk kemi pasur shumë bashkëpunim nga disa instanca institucionale, ndërsa këtë herë gjetëm një disponibilitet shumë të madh nga drejtuesit e Akademisë dhe një interes shumë të gjerë për bashkëpunim. Na pritën me shumë xhentilesë dhe bënë gjithçka për ta çuar përpara këtë projekt. Përshtypja që pata ishte ajo e një dëshire shumë të madhe për të rinovuar, për një hapje me jashtë dhe një seriozitet shumë të madh në organizim. Ndryshimi i drejtimit të Akademisë së Arteve ishte vendimtar në organizimin e këtij edicioni.
Si president i një Akademie, si drejtor i një konservatori në Itali dhe si muzikant, si mendoni, çfarë i duhet një akademie për të funksionuar ashtu siç duhet?
Piero Vincenti: Nuk është e lehte t’i përgjigjesh me pak fjalë një pyetjeje të tillë, por e përmbledhur në disa pika, sigurisht, një akademie i duhen profesorë të përgatitur që të kenë dëshirën për t’u vënë në dizpozicion të studentëve dhe një staf drejtues që të stimulojë gjithmonë akademinë. Dhe kjo duke u azhornuar gjithmonë, duke hapur bashkëpunime me institucione të tjera muzikore europiane, duke krijuar hapësira për të rinjtë e diplomuar.
Së fundi, a mund të na thoni se cilat janë përshtypjet tuaja për të rinjtë shqiptarë, me të cilët keni punuar?
Piero Vincenti: Unë bashkëpunoj që prej 1994 me muzikantë shqiptarë dhe sigurisht, një prej motiveve që lindi ky festival është pikërisht fakti se në Shqipëri ka shumë të rinj të talentuar, që kanë dëshirë të ecin në botën e artit dhe të zhvillojnë më tej anën profesionale të tyre. TMF-ja do të japë kontributin e saj për të ndihmuar këto talente.

26 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›