E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diploma italiane për talentet e muzikës shqiptare



Petrika GROSI
Nga 23-30 prill zhvillohet për të tretën herë në vendin tonë “Tirana Music Festival”. Tashmë veç kryeqytetit dhe Durrësit, koncertet e këtij festivali shtrihen edhe në Elbasan. Siç dihet, ky aktivitet i veçantë muzikor vjen si bazhkëpunim i Akademisë Muzikore të Umbrias me Akademinë e Arteve dhe Institutin Italian të Kulturës. Këtë javë pedagogë dhe studentë të talentuar do të japin koncerte të ndryshme, do të zhvillojnë seminare e masterklase. Për fituesit do të jepen edhe bursa për të vazhduar studimet në Itali apo edhe vende të tjera. Masterklaset që zhvillohen janë kurse të mirëfillta të perfeksionimit të lartë, të cilat përfitohen nga studentët garues, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, pa asnjë pagesë. Për të mësuar më tepër rreth të rejave e zhvillimeve të këtij festivali, gazeta “Albania” foli me drejtoreshën ekzekutive të “Tirana Music Festival” TMF, pianisten Marsida Koni dhe presidentin e festivalit, Piero Vincenti.
Riktheheni për të tretin edicion të "Tirana Music Festival", ç’ sjell ky vit, ç’përfitojnë të rinjtë?
Marsida Koni: Përveç emrave të rinj që këtë vit bëjnë pjesë në stafin pedagogjik të TMF-së, (Carunçhio - piano, Siskovic - violinë, Gonzalez - kanto, Casadei - violonçel), në këtë edicion është shtuar edhe një kurs tjetër, ai i violonçelit. Një tjetër e re shumë e rëndësishme e këtij edicioni të tretë do të jetë edhe audicioni që do të bëhet pranë ambjenteve të TMF-së. Do të përzgjidhen gati 30 instrumentistë, (violina, violonçelë, flautë, klarinetë, oboe, fagotë, perkusione, etj), të cilët do të jenë të ftuar nga Akademia Musicale Internazionale (AMI), në korrik-gusht 2008, në Festivalin UmbriaEstate. Ato do të marrin pjesë në masterin veror të organizuar nga Akademia si dhe do të mbajnë një sërë koncertesh në Itali. Gjithashtu, një tjetër e re e këtij viti është se koncertet e TMF-së, përveç se në qytetin e Tiranës dhe Durrësit, qytet ky i fundit me të cilin prej 2 vjetësh është krijuar një bashkëpunim i mrekullueshëm, këtë vit do të shkojë edhe në qytetin e Elbasanit, bashkëpunim ky, me Bashkinë e Elbasanit dhe Teatrin Skampa.
Këtë vit festivali zhvillohet në prill, pse ky ndryshim?
Marsida Koni: Menduam të sjellim këtë manifestacion në prill, për të afruar publikun e gjerë, pasi në korrik, si shqiptarët dhe italianët që jetojnë në Shqipëri shkojnë me pushime.
Çfarë i duhet një të riu për të marrë pjesë në këtë festival?
Marsida Koni: Për të marrë pjesë në TMF, duhet vetëm të plotësojnë një fletë regjistrimi pranë sekretarisë së Akademisë së Arteve, ose online në adresën e uebsajtit tonë (www.accademiamusicaleinternazionale.com) dhe gjithçka përsa i takon kurseve apo audicionit është falas. Kjo për të gjithë shqiptarët ngado që vinë. Për këtë vit, numri i të regjistruarve nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova ka shkuar rreth 150.

26 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›