E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ pa përgjigje për Gjilanin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është mbledhur as të enjten, për të diskutuar për çështjen e Gjilanit. Ndërkaq është bërë e ditur se të premten do të mbahet mbledhja e radhës e këtij institucioni, në të cilën megjithatë mbetet e paqartë nëse do të diskutohet për Gjilanin apo jo.

Përderisa dita e rivotimit në Prizren dhe Lipjan sa vjen e afrohet, çështja e Gjilanit vazhdon të mbetet ende pezull, kurse zyrtarët e KQZ’së preferojnë të heshtin para problemit të Gjilanit, i cili ka hyrë në javën e dytë të zvarritjes së tij.

E kontaktuar nga Kosovapress, Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta nuk ka dashur në asnjë mënyrë të flasë për këtë çështje, duke thënë se nuk është aty për të folur për media.

“Unë nuk mund të jap informata, por ju duhet të vini në mbledhjen e KQZ’së. Unë nuk mund të them asgjë për këtë çështje”, ka thënë Lushta, duke mos dashur të flas asgjë rreth çështjes së zgjedhjeve në Gjilan.

Ndërkaq, zëdhënësi Fehmi Ajvazi ka bërë të ditur se të premten do të mbahet mbledhja e rregullt e KQZ’së, mirëpo mbetet e paqartë nëse në këtë mbledhje do të diskutohet për Gjilanin. Sipas tij, në momentin e fundit mund të ndryshojë agjenda e mbledhjes së nesërme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“As nuk mund të them po as jo, nuk mund të paragjykoj asgjë. Agjenda ende nuk është e përfunduar dhe për momentin nuk mund të them se çka do të ketë nesër, ngase agjenda mund të ndryshojë pak para mbledhjes.

Sidoqoftë, mbledhja e KQZ’së do të mbahet nesër”, ka thënë Ajvazi, të enjten.

Në mbledhjen mbajtur të martën, Kryetarja e KQZ’së ka thënë se është shumë e interesuar që çështja e Gjilanit të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur.

Çështja e Gjilanit ka mbetur pezull që nga mbledhja e 11 janarit, kur nuk kaloi raporti përfundimtar për zgjedhjet në komunë, i cili, bazuar në rezultatet e rinumërimit të votave ka nxjerrë fitues kandidatin e PDK-së, Qemal Mustafën me 51,48 për qind të votave në raport me kundërkandidatin e tij nga LDK-ja, Fatmir Rexhepin, i cili ka marrë 48,52 për qind të votave të përgjithshme në balotazh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›