E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikat që do të diskutohen në kongresin e PS-së

Autori i Lajmit: Redaksia

Socialistët do të mbledhin sot, në orën 11:00, në Pallatin e Kongreseve, kongresin e tyre të lajmëruar. Ende nuk dihet nëse përveç broshurës së ndryshimeve në statutin e PS-së, grupi i punës do të paraqesë si alternativë edhe një tjetër material me propozimet që u bënë si në Asamblenë Kombëtare, ashtu edhe nga baza e partisë, të cilat nuk janë reflektuar në dokumentin që u është shpërndarë delegatëve. Ndryshimet statutore do të miratohen në këtë kongres, ndërsa nuk do të ketë votim për programin e partisë, bëjnë me dije burimet pranë PS-së. Për këtë dokument do të pranohen diskutime dhe propozime dhe në ditët në vijim dokumenti do të fillojë të pasurohet zonë më zonë të Shqipërisë me ide të reja, ashtu siç ndodhi edhe me programin elektoral të para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Fillimisht, kongresi do të hapet me fjalën e kryetarit të partisë, Edi Rama, i cili do të bëjë një analizë të situatës politike dhe aksionit opozitar të PS-së. Më pas diskutimet do të përqendrohen rreth temës: "Kriza e demokracisë dhe ekonomisë, roli i PS-së në kapërcimin e saj". Kongresi duket se nuk do të ketë ndonjë nismë që të kërkojë të zyrtarizohet për ndryshime në strukturat drejtuese të partisë.
Kongresi
Kongresi i së dielës i socialistëve do të jetë fillimi i një serie ndryshimesh në partinë më të madhe opozitare. Ndryshimi nis me kryetarët e rretheve, do të reflektohet në Asamblenë Kombëtare për të vazhduar më pas me kryesinë dhe sekretarët. Blendi Klosi, aktualisht sekretar Organizativ, shpjegon etapat me të cilat socialistët do të drejtohen nga emrat e rinj. “Zgjedhjet e rrethit do të ndodhin menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij statuti. Statuti i ri i Partisë, i cili i propozohet sot kongresit, i bën kryetarët e rretheve drejtpërsëdrejti anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS duke i dhënë kështu një forcë më të madhe kësaj Asambleja me përfaqësim direkt nga baza e PS. Zëri i socialistëve në të gjithë Shqipërinë do të vijë drejtpërsëdrejti nga këta përfaqësues në Asamblenë Kombëtare të PS. Kjo natyrisht do të sjellë një ripërtëritje të Asamblesë Kombëtare",- thotë Blendi Klosi, sekretar Organizativ.
Ndryshimet
Një etapë e re do të nisë për socialistët në kongresin e sotshëm edhe sipas Pandeli Majkos. "Do ketë dhe një frymë diskutimesh dhe përmbajtjesh, do të ketë dhe një tendencë e cila funksionon brenda çdo partie. Unë këtë e njoh, e kuptoj dhe mendoj se kjo do të mbyllë një sipar për të hapur një sipar tjetër, po në çdo rast ata që mbeten vlera mbeten vlera, ata që krijojnë probleme, do të krijojnë probleme. Aktualisht, që dëshiroj ta përsëris, tek vetja dhe me shokët e mi, është që sot aktualisht ne kemi njerëz të cilët nuk marrin nga emri i PS duke bërë diçka, po i japin PS",- tha Pandeli Majko. Me këtë kongres socialistët bëjnë publike për herë të parë pretendimet e tyre për Kodin e ri Zgjedhor, që është përfshirja e emigrantëve në votimin e zgjedhjeve të ardhshme. "Zgjedhjet e fundit treguan që do të duhej të kishte ndodhur votimi i emigrantëve shqiptarë, në një mënyrë ose një tjetër, duhej gjetur një zgjidhje",- vijoi Klosi. Problemet ekonomike që rëndojnë mbi shqiptarët dhe protestat si reagim opozitar do të jenë kryefjalë e kongresit në hapje të tij, tha sekretari Organizativ, Blendi Klosi.

Ndryshimet e reja në statutin e PS-së

1. PSSH është parti elektorale dhe funksionale. Anëtarët dhe simpatizantët e saj marrin pjesë aktive në veprimtarinë politike dhe shoqërore të vendit.

2. PSSH është parti e majtë demokratike, që ka në themel të veprimtarisë së saj parimet e lirisë, drejtësisë sociale, barazisë së shanseve dhe solidaritetin njerëzor.

3. PSSH është anëtare me të drejta të plota e Internacionales Socialiste dhe anëtare e asociuar e Partisë së Socialistëve Evropianë. PSSH respekton detyrimet financiare të pjesëmarrjes së saj në organizmat partiake ndërkombëtare.

4. Disiplina në parti bazohet në konvergjencën e mendimeve për alternativat e zhvillimit. Pas votimit të vendimit, zbatohet vullneti i shumicës.

5. Vendoset kryetari i PS-së së rrethit, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të rrethit. Kandidaturat për këtë post miratohen nga kryesia e PSSH-së. Mandati i kryetarit të PS-së së rrethit është 4-vjeçar. Ai është automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare.

6. Krijohet Asambleja Socialiste e rrethit që përbëhet nga delegatët e kongresit të atij rrethi, kryetarët e bashkive dhe komunave të atij rrethi, kryetarët e grupeve socialiste të këshilltarëve në komuna e bashki, si dhe kryetarët e FRESSH-it dhe FGSH-së së rrethit.

7. Krijohet Këshilli Koordinues i PS në qark, që drejtohet nga drejtuesi politik i PS në qark, që është një nga anëtarët e kryesisë, deputeti i qarkut. Ai përbëhet nga deputetë socialistë të qarkut, kryetarët e partisë së rretheve në përbërje të qarkut.

8. PS në emigracion; Organizatat socialiste në emigracion ngrihen mbi bazën e fshatit, komunës, bashkisë apo rrethit nga janë apo vijnë emigrantët, në mënyrë që të ndikojnë te familjet e tyre në Shqipëri gjatë fushatave elektorale.

9. Kongresi, përfaqësia i paraqet Kongresit për miratim listën me kandidaturat për anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe listën me kandidaturat për komisionin e Garancive Statutore. Kongresi zgjedh me votim të fshehtë dhe kandidaturat alternative të Asamblesë Kombëtare dhe Komisionit të Garancive Statutore.

10. Delegatët e Kongresit mund të propozojnë kandidatura shtesë në listën e kandidaturave. Kandidaturat shtesë përfshihen në listat përkatëse, nëse miratohen nga 50+1 e delegatëve të kongresit.
Votimi për kandidaturat shoqe bëhet me listë të veçantë. Shoqet përbëjnë jo më pak se 50 për qind të listës së kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare.

11. Asambleja Kombëtare e PS zgjedh kryesinë e PSSH. Numri i anëtarëve të kryesisë miratohet nga Asambleja Kombëtare, me propozim të kryetarit të partisë. Kryetari paraqet listën e plotë me kandidaturat për anëtarë të kryesisë.

12. Asambleja ka të drejtën e propozimit të kandidaturave shtesë deri në ½ e listës së paraqitur. Çdo kandidaturë shtesë mbi listën e propozuar për anëtar të kryesisë së PS duhet të ketë mbështetjen e 10 për qind të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.

13. Kandidatët për sekretarë të PSSH duhen të kenë të paktën një mandat si anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Sekretarët janë automatikisht anëtarë të kryesisë së PSSH.

14. PSSH miraton në forumet e veta marrëveshjet për aleanca bashkëpunimi me partitë e tjera. Në çdo rast, PSSH ruan të paprekur identitetin e vet politik dhe integritetin e vet organizativ.

15. FREESH përbëhet nga anëtarë dhe përkrahës të moshës nga 15-30 vjeç. Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë nga Kongresi i FRESSH. Kryetari i FRESH-it në bashki ose komunë zgjidhet nga konferencat e rinisë eurosocialiste, ndërsa kreu i rrethit zgjidhet nga asambleja e FRESSH-it në rreth.

16. Forumi i Gruas Socialiste është organizim politik brenda PS. Kryetarja qendrore e këtij forumi zgjidhte nga kongresi i këtij forumi. Kryetarja e gruas në rreth zgjidhet nga asambleja e gruas në rreth.

17. Kryetari i PS në komunë dhe bashki nuk zgjidhet më përmes parimit “1 anëtar, 1 votë”, por nga anëtarët e asamblesë socialiste të komunës apo bashkisë. Kandidaturat miratohen nga kryesia e PSSH-së.

18. Kryetari i PS në komunë dhe bashki ka mandat 4-vjeçar. Në rast se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore është humbës ose më i ulët se në zgjedhjet paraardhëse, ai dorëhiqet automatikisht. Kur përbërja e asamblesë së komunës/bashkisë ripërtërihet, kryetari i partisë i nënshtrohet votëbesimit.

19. Organizata Socialiste zhvillon zgjedhje pas çdo fushate për zgjedhjet e përgjithshme dhe për pushtetin vendor, por për një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.

Ky lajm është publikuar: 18/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›