E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja, banorët: Tani u rrënuam



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Shpresa se pranvera do të ndihmonte fermerët për të mbjellë tokat që për rreth 3 muaj mbetën nën ujë, u shua ditët e fundit. Banorët e zonave të Nënshkodrës thonë se shirat kanë dëmtuar plotësisht të mbjellat për ushqime për vete dhe për bagëtitë. Komuna Dajç dhe Bërdicë janë prekur të parat nga vërshimi i ujërave, menjëherë pas shkarkimeve nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit. Ndërsa sipërfaqja e zonave të prekura nga uji në Shkodër shtohet orë pas orë, për disa nga fermerët e fshatrave të këtyre komunave, përmbytja e tretë brenda këtij viti ka qenë fatale për ta. Pasuria e tyre, kryesisht në kultura bujqësore dhe ushqimore për bagëtitë është nën ujë, ndërsa rezervat pas përmbytjeve të mëparshme kanë mbaruar me kohë. Fermerët, për të cilët toka bujqësore është i vetmi burim jetese duken të dorëzuar para një fati të tillë, pasi këto përmbytje i kanë rrënuar fare. “Kjo ka qenë përmbytja, e cila na ka shkatërruar krejtësisht, - shprehet Loro Shllaku, banor i fshatit Mushan të komunës Dajç. Tani na u përmbytën të gjitha ato çfarë ne mbollëm në pranverë: jonxha, misri, patatet dhe çdo gjë tjetër që ne kemi mbjellë sapo u largua uji, nga përmbytja e dytë janë sërish nën ujë. Kjo situatë është që me 4 janar kur erdhi uji për herë të parë në tokat tona. Ne nuk e dimë se me se do të ushqejmë familjet e pale pastaj që të shesim ndonjë gjë për të siguruar të ardhura të tjera për nevojat e familjarëve tanë”, shprehet Shllaku. Nga frika e rritjes së nivelit të ujit gjatë mbrëmjes së të hënës shumë banorë të këtyre zonave janë vetëevakuuar duke u larguar në shtëpitë e të afërmve të tyre në zona më të sigurta. Gjatë ditës së djeshme janë shfaqur probleme në qarkullimin e banorëve në rrugën automobilistike që lidh fshatin Obot me pjesën tjetër të komunës Ana e Malit, nëpërmjet rrugës nacionale Shkodër-Muriqan. Ajo kalohet vetëm me automjete të larta për shkak të pranisë së ujit. Po kështu, edhe në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, aty ku rruga nacionale Tiranë-Shkodër merr kthesën për në rrugën e Velipojës, në një gjatësi prej rreth 300 metër ka prezencë uji duke vështirësuar kalimin e automjeteve të ulëta në këtë aks rrugor. Ministria e Brendshme, nëpërmjet zv.ministrit të saj, Ferdinand Pone ka udhëzuar shtabin lokal të emergjencave që të hartojnë planet e evakuimit për çdo njësi vendore, në rast të përkeqësimit të situatës, në ato zona që rrezikojnë të përmbyten. Njëkohësisht është lënë në porosi që të mbahen nën kontroll ujësjellësit dhe hidrovoret dhe të punojnë pa ndërprerje në zonat e “nxehta” që rrezikojnë përmbytjen. Janë marrë të gjitha masat me mjetet e transportit të ujit që banorët e këtyre zonave të furnizohen me ujë të pijshëm dhe për konsum personal, pa ndërprerje. Situata po monitorohet pa ndërprerje dhe në rast të shtimit të shkarkimeve, nuk përjashtohet mundësia e evakuimit të banorëve nga zonat problematike në drejtim të zonave me të sigurta ku kampingjet me çadra kanë që në mëngjes herët që janë në gatishmëri.

Shkodër, shpërndahen paratë
Nis shpërndarja e parave për zonat e përmbytura të Shkodrës në fillim të këtij viti. Sipas drejtorit të këtij filiali, Erjon Rexha, me qëllim evitimin e radhëve të gjata apo të abuzimeve të mundshme, është hartuar një program pune, duke bërë ndarjen në grafik, i cili përcakton ditët e tërheqjes së parave sipas njësive vendore. Shpërndarja e parave do të përfundojë më 31 maj. Rexha pohon se numri i familjeve që përfitojnë nga dëmshpërblimi në Qarkun e Shkodrës është 4069 dhe kryefamiljarët kanë të drejtë të bëjnë tërheqjen e tyre në çdo filial të Albapostës në qytet dhe degët e saj në komuna. Dëmshpërblimi i banorëve të përmbytur nga uji në muajin janar po kryhet në një kohë kur reshjet dhe shkarkimet e HEC-eve po i rrezikojnë ata për herë të tretë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›