Piktori Emrush Xhemajli
Piktori Emrush Xhemajli në artin e tij individual nuk sjell vetëm parajsën, ose ferrin, por shpirti i tij është i prekur nga lashtësia që dikur kishte ndriçuar dhe ishte tejet funksionale. Kullat, infrastrukturën mesjetare të Novobërdës, funksionin e saj ideal, artisti Xhemajli e ringjall në peizazhet e tij, të cilat posedojnë ritëm, perspektivë, kompozicion dhe formë në trajta të ndryshme.
Koloriti dhe hulumtimi i tingujve të ngjyrave të ndezura demaskojnë psikologjinë postmoderne, edhe pse e kaluara përvishet si një valë e dhunshme, e shenjat na tregojnë se e kaluara ekziston, se ajo nuk është pjesë e hiçit, por një ndihmë për t’u ngjitur shkallëve të së ardhmes. E, këtë të kaluar të fuqishme dhe me një bazë të qëndrueshme, piktori Xhemajli e paraqet përmes kullave, të cilat, po të vështrohen mirë, nuk janë statike, por lëvizëse dhe të puqura mirë me horizontin që pushtohet nga nuanca kaltër e ftohët. Në të njëjtën kohë ai krijon lojë me të bardhën, e cila simbolizon plisin, pastërtinë, qefinin e rugovasve, etj.
Dikur në mesjetë, në këto kulla zhvillohej një jetë përplot dinamizëm e kuptim, tregtia ishte në nivel, bashkëjetesa e fuqishme... Kjo dëshmohet me renditjen e infrastrukturës së objekteve që janë afër njëri-tjetrit. Madje Xhemajli, me mjeshtrin e artit të tij, arrin të tregojë edhe raportin e shtresës së ulët, e cila vendoset në fushë, me shtëpi të ndërtuara prej balte, të kombinuara me gur e kulm nga bari i thatë. Ato në vete ngërthejnë estetikë, qëllim, mesazh dhe motiv, i cili na paralajmëron se e kaluara jonë ishte shumë e populluar, e zhvilluar, e koordinuar, dhe e pjekur për të dëshmuar vlerë botërore.
Përmes koloritit të tij të pastër fovist, Xhemajli krijon formën, me një ritëm të qartë dhe na jep thellësisht perspektivën dhe ritmin. Mirëpo, heshtja e kullave thyhet nga ngjyra e kuqe, e cila simbolizon nxehtësinë, vullkanin, gjakun, historinë, betejat më të ashpra, flamurin kombëtar, etj. Ai futet në psikologjinë e ngjyrave dhe, mjeshtërisht, përmes penelit dekodon esencën dhe krijon lojën përmes lashtësisë, qëndrueshmërisë dhe natyrës - si pushtuese e pamposhtur. Vullkani në punimet e Xhemajlit krijon konfliktin me ujin, e kaosi dhe ngrohja globale gërshetohen dhe ngrihen si një betejë me rezultat qetësues, duke na e paralajmëruar se finalja është fillimi, dhe se fundi nuk ekziston.
Peizazhin, krijuesi Xhemajli e trajton si plan tematik dhe kreativ, në fakt është një peizazh i shpirtit të tij estetik, për më tepër, është një gjithësi ku puqet ideja me materien, imagjinata me realitetin, shqetësimi estetik me refleksionet e mendjes. Duke u ngacmuar nga ngjyra e kaltër, e kuqja dhe gri, Xhemajli kompozon jo melodinë e nëntë të Bethovenit, por shpejtësinë, konfliktin e natyrës dhe historisë.
Ana ekspresive, e këtij krijuesi rrëmbehet nga një tonalitet i mugët që krijon një strukturë koloristike tërheqëse dhe dominuese për spektatorin. Edhe pse peizazhet dominohen nga nuancat e natyrës dhe nga arkitektura e mesjetës, shtrëngata shpirtërore e artistit godet si rrufe e drunjtë, e pafajshme në pëlhurë.
Sido që të jetë, trajtimit të peizazhit i qaset me bindjen se nëpërmjet tij mund t’i shpreh ndjenjat e veta, vizionin e hapësirës së pafund, e cila nuk na paralajmëron për ndonjë pikënisje.
*Shkëputur nga katalogu i ekspozitës