E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piktori Fatmir Velaj merr çmimin European Citizen

Artistit shqiptar Fatmir Velaj iu dorëzua, nga Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Miguel Angel Martinez, çmimi ‘European Citizen'.

Piktori Velaj, i cili prej mëse dhjetë vitesh promovon artin shqiptar në Evropë, u bë kështu shqiptari i parë që zyrtarisht do të quhet ‘Qytetar Evropian’. Ceremonia e dorëzimit të çmimit, në të cilën ishte e pranishme Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u zhvillua në Hotel Tirana International, ku u promovua edhe ekspozita me piktura dhe fotografi, “Fate Velaj-100 hapa nëpër Evropë”.

Ky çmim iu dha piktorit Velaj nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek me motivacion: “për merita të veçanta në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimin e mëtejshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian si dhe ndihmesën e dhënë në nxitjen e mirëkuptimit mes qytetarëve të shteteve anëtare”.

Velaj është piktor, fotograf, eseist, kurator, menaxher arti si dhe krijues i iniciativave dhe strategjive politiko-kulturore europiane. Velaj është ideator dhe realizues i aktiviteteve të ndryshme me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga politika europiane.

“European citizen prize” jepet nga presidenti i Parlamentit Europian një herë në dy vjet për personalitete dhe organizata brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›