Kërkojnë të huaj
_se_shpejti_mund_ti_shtohen_edhe_disa_te_huaj_706287.jpg)
Disa prej skuadrave të futbollit, po mendojnë të heqin dorë nga tregu kosovar i futbollistëve, për t’u përqendruar te shtetet fqinje, ku tregu është më i pasur dhe më i volitshëm.
Vëllaznimi, Drita dhe Liria janë tri klubet që po mendojnë t’i bëjnë disa qindra kilometra, për të kërkuar futbollistë tek komshinjtë si Shqipëria apo Maqedonia, edhe pse ende nuk i kanë mbyllur dyert për futbollistët në vend.
Vëllaznimi është ‘therrë’ bajagi keq në tregun kosovar të futbollistëve, kohëve të fundit. Skuadra gjakovare ishte pranë transferimit të sulmuesit Berat Hyseni dhe mesfushorëve Driton Krasniqi e Bardhyl Kaçiu, por në momentet e fundit, i pari iu bashkua Trepçës ’89, i dyti Prishtinës, kurse i treti vendosi të mbetej në Drenicë.
“Do t’i shikojmë këta që kanë mbetur, edhe pse ata që kishim planifikuar shkuan. Normalisht, është e drejtë e tyre ta zgjedhin klubin që u përshtatet dhe që u ofron kushte më të mira, por ne ishim vërtetë afër. Po hulumtojmë në Kosovë për momentin”, deklaroi trajneri Ajet Shosholli.
“Kjo nuk do të thotë se nuk do të dalim edhe jashtë, nëse gjejmë ndonjë lojtar të përshtatshëm. Edhe pse nuk kam shumë informata rreth lojtarëve, unë kam miq që mund të më ndihmojnë dhe të më këshillojnë”, vazhdoi ai.
Trajneri mitrovicas njoftoi se Vëllaznimi ka nevojë për një apo dy sulmues, një mesfushor organizator dhe një mbrojtës. Ndërkohë, drejtuesit e klubit kuqezi kanë paralajmëruar se do të ketë edhe largime të futbollistëve tek të cilët nuk llogarit trajneri Shosholli.
Në anën tjetër, gjilanasit provuan t’i bënin disa përforcime në Kosovë, por lojtarët që i kishin objektiv, kërkuan shumë para, bile më shumë se ata që marrin në vende fqinje. Për këtë, edhe i rikthyeri në Superligë po mendon të hulumtojë në Shqipëri apo edhe Maqedoni.
“Jemi në biseda me disa lojtarë nga Shqipëria dhe Maqedonia. Në Kosovë tregu është më i varfër dhe lojtarët kërkojnë shumë para. Ne po mendojmë të sjellim lojtarë më cilësorë dhe më atraktiv, për ta bërë edhe më të fortë Superligën e Kosovës”, shpjegon kryetari i Dritës, Sedat Pajaziti.
Edhe drejtuesit e Lirisë ankohen në tregun kosovar, kështu që ata do të përforcohen me lojtarë nga Shqipëria. “Në tregun kosovar nuk kanë mbetur lojtarë të lirë, kështu që planifikojmë ta shikojmë tregun shqiptar, prej nga do t’i bëjmë 2-3 përforcime. Jemi në negociata me futbollistë nga Shqipëria dhe brenda një apo dy javësh, do të ketë diçka”, thotë drejtori i bardh e zinjve, Hatmi Gashi.
Viteve të fundit është vërejtur një rritje e numrit të lojtarëve nga Shqipëria, që luajnë në futbollin kosovar. Tregu i varfër në Kosovë i ka shtyrë klubet e Superligës që të përforcohen nga futbolli shqiptar.