E Diel, 1 Nëntor 2026

Piku i fazës së gripit, bëhen gati pavijonet e stoqet e ilaçeve

Qendra spitalore universitare, "Nënë Tereza", është gati për të pritur fazën e tretë të gripit të derrave, por edhe pikun e gripit stinor. "Njësia speciale është bërë gati në shërbimin e Infektivit. Nëse faza e tretë e gripit do të trokiste edhe nesër, ne jemi gati për ta pritur. I kemi marrë të gjitha masat, me shtretër, medikamente, staf dhe gjithçka", tha drejtori i qendrës spitalore universitare, "Nënë Tereza", Ilir Dashi. Sipas tij, veç rasteve me grip të zakonshëm, edhe për fluksin e fazës së parë dhe të dytë të virusit AH1N1, qendra më e madhe universitare në vend është në gatishmëri të plotë për të pritur fluksin e pacientëve, madje për të përballuar edhe rastet me komplikacione e viroza të rënda jo vetëm nga Tirana, por nga i gjithë vendi.

Nga java në javë, numri i të prekurve nga gripi i zakonshëm ka ardhur duke u rritur. Të infektuarit nga viroza e stinës janë mbi 16 mijë brenda një jave, ndërkohë që numri i të prekurve nga gripi i derrit ka shkuar gati në 200 persona. Piku i të prekurve nga gripi i zakonshëm do të jetë nga muaji dhjetor deri në muajin mars dhe periudha me fluksin më të lartë do të jetë muaji shkurt. Sipas analizave të Institutit të Shëndetit Publik, kryesisht të prekurit nga viroza janë fëmijët e moshave pediatrike dhe të rinjtë. 16 mijë persona janë prekur nga viruset e gripit gjatë kësaj jave. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se jemi në prag të epidemisë dhe viruset kanë prekur më shumë moshat 10 deri në 20 vjeç. Në poliklinikat dhe qendrat shëndetësore në kryeqytet ka një numër të lartë të fëmijëve që paraqiten me bronkopneumoni dhe temperaturë të lartë. Fluksi më i madh i pacientëve i përket arsimit parauniversitar, fëmijëve të shkollave 9-vjeçare dhe të rinjve gjimnazistë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›