E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinari i “fali” Delijorgjit, 6.5 mln USD

 

Trazhgim Sokolaj

Mbyllja e hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur një vit më parë në Gërdec, është shoqëruar me një bilanc financiar për dëmin që i është shkaktuar shtetit me nxjerrjen e fishekëve dhe predhave nga depot e ushtrisë. Ngjarja që u mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë, në mënyrë zyrtare konsiderohet përveçse vrasje, edhe si një krim ekonomik me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit dhe arkën e varfër të ushtrisë shqiptare. Kjo e fundit, sipas dy kontratave të nënshkruara nga ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, duket se i ka “falur” Mihal Delijorgjit dhe ortakut të tij amerikan Patrick Henry, 6.5 milionë dollarë municione dhe 90 mijë euro shpenzime transporti nga mjetet e ushtrisë. Një ditë pas dorëzimit të dosjes me 29 të pandehur në Gjykatën e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme pohon se 90 mijë euro është shifra e dëmit financiar që i është shkaktuar ushtrisë vetëm me transportimin e municioneve që shkonin në Gërdec për llogari të Mihal Delijorgjit dhe ortakut të tij amerikan Patrick Henry, administrator i kompanisë SAC. Kjo e fundit u kontraktua nga ndërmarrja shtetërore MEICO në qershor 2007 për demontimin e 100 milionë fishekëve. Municioni që pretendohej se ishte i dalë nga përdorimi ushtarak, u nxor nga depot e Forcave të Armatosura dhe u dërgua në Gërdec për çmontim. Pas kontratës së parë për çmontimin e fishekëve u nënshkrua kontrata e dytë për predhat. Kjo kontratë e nënshkruar në dhjetor 2007, nuk përmban shifra konkrete për sasinë e predhave të kalibrit të rëndë, megjithatë në total vlera e dy kontratave për furnizimin e Gërdecit me municion, ka qenë 1.5 milionë dollarë. Gjatë hetimeve të saj për tragjedinë, Prokuroria ka kryer ekt-ekspertime kontabël, me qëllim identifikimin e sasisë ekzakte të municioneve që kanë dalë nga depot e ushtrisë, predha dhe fishekë, për t’u dërguar në Gërdec. Akt-ekspertimi tregon se vlera totale e municioneve që janë dërguar për çmontim në fabrikën e ngritur në Gërdec, ka qenë 8 milionë dollarë. Sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar shtetit gjatë furnizimit të fabrikës me municione, fillimisht fishekë dhe më pas predha të kalibrit të madh, është 6.5 milionë USD. Dëmi është shkaktuar përmes abuzimit nga drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, i cili ka favorizuar kompanitë SAC-Albademil të cilave i ka ngarkuar faturë disa herë më të vogël sesa vlera e municioneve që këto subjekte morën nga shteti shqiptar. Dokumenti i ekspertizës që përmban arsyetimin e dëmit të shkaktuar shtetit, ndodhet në dosjen “Gërdeci”, e cila tri ditë më parë u dorëzua në Gjykatën e Lartë. Ajo është një nga provat që fajësojnë ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndërmarrjes MEICO në varësi të saj. Me nënshkrimin e kontratave dhe urdhrave për zbatimin e tyre, zyrtarët akuzohen se me dashje i kanë shkaktuar shtetit dhe ushtrisë dëme të konsiderueshme financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›