E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush frikësohet nga heqja e imunitetit?!

Agim Neza 

Janë bërë debate të shumta për heqjen e imunitetit të deputetëve. Kemi dëgjuar liderin e maxhorancës z. Berisha dhe Kryetaren e Parlamentit znj. Jozefina Topalli të lançojnë me forcë domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit të deputetëve. Kemi dëgjuar përfaqësues të organizmave ndërkombëtare si, Bashkimi Europian (BE), Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përfaqësues të Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vetë ambasadorin amerikan në Tiranë se do të mirëprisnin që Parlamenti shqiptar të miratonte heqjen e imunitetit për deputetët.
Madje, para disa muajsh debati u bë aq i “nxehtë” për këtë çështje aq sa opinioni publik mendoi se së shpejti Parlamenti do të miratonte heqjen e imunitetit të deputetëve. Por si gjithmonë tek ne “çudia” zgjat tre ditë, pra ndodhin kaq shumë ngjarje interesante saqë politikanët tanë “kanë aftësi” të bindin opinionin publik se ajo ngjarje që u pëlqen atyre është më e rëndësishme sesa ato që ka interes vërtet opinioni publik. Nëse në gazetari thuhet se “Lajmi i keq është lajm i mirë”, për politikanët tanë duket se “Lajmi i mirë është lajm i keq”!
Opozita ka qenë disi më e lëkundur në lidhje me heqjen e imunitetit të deputetëve. Kjo ndoshta edhe për faktin se pas marrjes së pushtetit nga maxhoranca, thënien e deputetit Nikoll Lesi “arrestime-investime”, disa përfaqësues të opozitës e morën të mirëqenë. Kjo nënkuptonte frikën nga “dora e hekurt” e Berishës, aq më tepër që Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Prokurorja e Përgjithshme u zgjodhën kryesisht me votat e maxhorancës. Pra, me sa duket opozita është tunduar për faktin se mund të kishte “ndonjë gjueti” arrestimesh për ish-ministrat socialistë.
E kam trajtuar edhe herë tjetër rëndësinë dhe domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit. I qëndroj mendimit se duhet të hiqet imuniteti i deputetëve, në veçanti për rastet kur një deputet akuzohet për afera korruptive, pastrim parash, mbështetje të grupeve terroriste, apo përfshirje në trafiqe të ndryshme.
Mendoj se tani është koha dhe momenti i duhur për të tria palët PD, PS, LSI dhe grupe të tjera parlamentare që t’i kërkojnë kryetares së Parlamentit futjen në axhendë të kësaj çështje.
Kjo për disa arsye: Fushata e zgjedhjeve sapo ka filluar, të dy liderët e forcave kryesore PD, PS, pretendojnë se do jenë forcë e parë. Madje edhe LSI ka të njëjtat pretendime. Kjo do të thotë se këto forca që pretendojnë se do të drejtojnë me “duar të pastra” nuk kanë arsye të tundohen nga heqja e imunitetit. Duke hequr imunitetin do të jenë më të besueshëm për elektoratin shqiptar. Do t’i japin më shumë besim qytetarit shqiptar për organin e Prokurorisë dhe gjykatat, ashtu sic do t’i krijojnë hapsira ligjore organit të akuzës për hetim ndaj akuzave apo denoncimeve që mund të bëhen për politikan të ndryshëm.
Nga ana tjetër Presidenti Topi, i cili është edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që nënkupton se ka “nën hyqëm” gjykatat, ashtu siç ka Prokurorinë nuk mund të konsiderohet në këto momente i të djathtëve, madje ndonjë analist thotë se për “inat” të Kryeministrit Berisha është bërë më “shumë i majtë sesa i djathtë”. Pra, nëse PS-ja vjen në pushtet, në veçanti ministrat, për të cilët zakonisht bëhen akuza për korrupsion, ata kanë një garanci më shumë nga Presidenti i Republikës se organi i akuzës “nuk do t’u bjerë në qafë” pa të drejtë.
Mendoj se PS dhe opozita në tërësi duhet në këto momente të përkrahin idenë e heqjes së imunitetit për faktin se elektorati i majtë do të krijojë besim se e majta është e përkushtuar për të luftuar korrupsionin nëse vjen në pushtet, aq më tepër që z.Rama thotë se po sjell një politikë të re, përtej të majtës dhe të djathtës.
Nga ana tjetër mendoj se maxhoranca duhet t’i rikthehet kësaj teme, aq më tepër se ajo nuk ka se çfarë të humbasë më shumë, kjo për faktin se maxhoranca me të mirat dhe të këqijat e saj dha një shembull tepër pozitiv duke votuar për heqjen e imuniteteve të ministrit të Jashtëm z. Lulëzim Basha dhe ish-ministrit të Mbrojtjes z. Fatmir Mediu. Pra, maxhoranca tregoi vullnetin e saj se është e gatshme t’u heqë imunitetin edhe figurave më të rëndësishme të qeverisë dhe ministrave më të besueshëm të Kryeministrit Berisha.
Natyrshëm në këtë situatë, kur të gjitha forcat politike po heshtin rreth heqjes së imunitetit, opinioni publik do të ishte i interesuar për të ditur se kush nga partitë politike frikësohet më shumë nga heqja e imunitetit. Kjo frikë indirekt nënkupton se kush është më i korruptuar!
Gjithashtu, duke parë eksperiencën e shumë vendeve të tjera që deputetët janë pa imunitet, çdo qytetar shqiptar natyrshëm mund të pyes: Pse kanë frikë deputetët tanë? Pse ata duhet të insistojnë të ruajnë këtë privilegj nëse e ndjejnë veten të pastër, pra të papërfshirë në afera korruptive apo ndonjë trafik?
Ndoshta është momenti që Presidenti i Republikës z. Topi krahas axhendës së tij të ngarkuar me shpërndarje dekoratash apo aktivitete të tjera siç janë takimet e shpeshta me përfaqësues të KLD-së (Këshillit të Lartë të Drejtësisë) etj., të përcjellë mesazhin tek partitë politike për domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit të deputetëve. Kjo do të jetë një shenjë pozitive e politikës shqiptare për të treguar gatishmërinë për t’u përballur me drejtësinë shqiptare pa “perden e hekurt të imunitetit”.
Deputetët tanë të nderuar, të tashëm e të ardhshëm, nuk duhet të kenë frikë nga heqja e imunitetit aq më tepër që tani vendi jonë dhe politika jonë në tërësi do të jetë në një fazë të re pas anëtarësimit në NATO.
Vendet anëtare të NATO-s do të kenë edhe më shumë besim tek politikanët tanë. Nëse qytetari shqiptar është i zhgënjyer nga politika, me aktin tuaj për të hequr imunitetin, të paktën do t’i jepni shpresë qytetarëve të fillojnë të kenë besim tek politika dhe t’ju besojnë Juve më shumë sesa thashethemnajave dhe akuzave që ju i bëni herë pas here njëri-tjetrit. Mendoj se këtu fillon edhe “ndryshimi”! “Ndryshimi” i vetë atyre që përfaqësojnë sot politikën tonë shqiptare!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›