VKM nr.138 për Gërdecin, zbardhet debati Mediu-Bode
Lorenc Vangjeli
Ridvan Bode, ministër i Financave kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Përplasja e dy ministrave ka qenë e ashpër dhe e vazhdueshme, siç e konfirmojnë dhe vetë kolegë të të dy zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar. Por maksimumin përplasja e tyre, që deri më tani nuk është bërë publike, ka qenë në dimër-pranverën e vitit 2007 dhe kryesisht është shkaktuar nga propozimi i Ministrisë së Mbrojtjes për demontimin e municioneve të vjetra të ushtrisë shqiptare, duke bërë një marrëveshje prokurimi të drejtpërdrejtë me kompaninë amerikane SAC. “Ridvani bën dhe juristin dhe financierin. Të kthejë përgjigje me shkrim, të bëhet ballafaqim”, shpërthen Mediu në 17 shkurt të 2007-ës, në ditën kur propozimi i tij kthehet mbrapsht nga Këshilli i Ministrave si i papërputhur në ligj. I zemëruar me kundërshtimet e Bodes, madje ish-ministri i Mbrojtjes shkon dhe shumë më tej: “Ore e shtyni, doni ta lini. Lëreni fare se nuk më intereson”.
Një pjesëmarrës në këtë mbledhje qeverie, ministër, në kushtet e konfidencialitetit të plotë, i afron revistës MAPO, për herë të parë shënimet e tij të hollësishme për atë mbledhje, në të cilat ai nënvizon dy detaje: konfliktin mes dy ministrave dhe faktin që të gjithë anëtarët e kabinetit, pa përjashtim, e dinin që bëhej fjalë për kompaninë amerikane SAC; pra, që kjo kompani nuk ka qenë e panjohur, ashtu siç është shprehur edhe vetë kryeministri Berisha menjëherë mbas tragjedisë së Gërdecit. Edhe titulli i projektvendimit e përmendte emrin e SAC.
Vetëm ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka qenë dukshëm në krah të zotit Mediu, kurse të tjerët, përfshi dhe zotin Berisha, që i jepte të drejtë rregullisht edhe palëve që kundërshtoheshin, kanë qenë më neutralë dhe në pozita pritjeje.
Mbledhja e 17 shkurtit
Pakkush kujton sot se kanë qenë dy tentativa nga Ministria e Mbrojtjes për të kaluar atë që më pas do të shënohej si vendimi 138, i cili i hapi rrugën demontimit të municioneve të vjetra në pronësi të ushtrisë shqiptare. Ka qenë një mbledhje në të cilën kanë munguar ministrat Olldashi, Ruli, Leskaj dhe Barka, të cilët janë zëvendësuar nga zëvendësit e tyre në mbledhje. Sipas dëshmisë së një pjesëmarrësi në këtë mbledhje të qeverisë, që vuri në dispozicion të revistës MAPO shënimet e tij të hollësishme, fillimisht Mediu ka mbrojtur variantin e tij, duke u nisur nga leverdia financiare e këtij projekti. Sipas tij, SAC do të mund të bënte demontimin mekanik të municioneve, ndërsa tre ndërmarrjet shtetërore ushtarake, nëse bënin një proces të tillë, dilnin me humbje. (Sot dy nga ish-drejtorët e tyre janë në ndjekje penale për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pikërisht për këtë arsye). SAC, nga ana tjetër, afronte 1.5 milionë dollarë në rast se merrte firmën e qeverisë. Pikërisht këtu, vlerëson burimi ynë ministror, nisi dhe sherri mes Mediut dhe Bodes. Ministri i Financave vlerëson se në një mënyrë të tillë, shërbimi që po kërkonte të merrte Ministria e Mbrojtjes, konsiderohej tender i drejtpërdrejtë. Dialogu mes tyre vazhdon i shpejtë dhe nervoz. Kryeministri Berisha kërkon që të merret më shtruar problemi, duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes se e vetmja paqartësi e tij ishte se pse ky projekt po shkonte në Këshillin e Ministrave. “Të jem i sinqertë, kjo nuk më bind”, thotë ai.
Diskutohet për çmimet dhe për faktin nëse praktika duhej apo jo të kalohej në proces tenderimi. Bode citon ligjin, kurse Mediu pretendon se municionet ishin kaq të vjetër dhe pa vlerë, sa askush tjetër në 16 vjet nuk ishte afruar për të kërkuar këtë municion. “Ridvan, sikur të merrej gjithë kjo sasi municioni dhe të hidhej diku në Adriatik, të gjithë ne do të ishim të lumtur. Nuk e bëjmë dot një gjë të tillë, se nuk na lë ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, se ndotet deti”, citohet të ketë thënë me nervozizëm Mediu, por sërish Bode është skeptik, duke thënë se ai po përmend vetëm aspektet ligjore dhe se interesohej të dinte se po merrej pasuri publike dhe po i jepej një firme private. Sërish ndërhyn kryeministri, citon shënimet e tij mbas një viti vartësi i zotit Berisha, që interesohet të dijë nëse në një rast të tillë mund të bëhet tender, por Mediu kundërshton, duke thënë se SAC ishte e vetmja kompani që ishte interesuar në gjithë këto vite.
Ish-ministri i Mbrojtjes kundërshtohet dhe nga ish-zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, i cili thotë se Këshilli i Ministrave nuk mund të nxjerrë asnjë vendim për prokurime dhe me të bashkohet edhe zoti Berisha. Rusmali saktëson se një akt i tillë nuk duhet të shkonte në qeveri, sepse ligji i ka dhënë vetë ministrisë (së Mbrojtjes) autoritetin për të vepruar. Pikërisht këtu, grindja mes Bodes dhe Mediut arrin në pikën e vlimit. Mediu thotë se ai e di që ministria mund ta bëjë vetë, por ka tri javë që diskutohet me drejtorinë juridike në Këshillin e Ministrave, ndërsa ata (ministrat) donin ta bënin një gjë të tillë për një sekondë. Kompania ka një muaj që ka ardhur dhe ka bërë ofertën dhe që atëherë ka diskutime intensive mes juristëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të qeverisë për të gjetur zgjidhje dhe kjo është zgjidhja që kanë afruar të dy palët. “Ridvani bën në të njëjtën kohë dhe profesionin e juristit, edhe të financierit. Ai le të kthejë përgjigje me shkrim”, citohet të ketë thënë Mediu.
Por Bode rishtas nuk tërhiqet. Sipas tij, ka vetëm dy mënyra për të mbërritur në destinacionin që kërkohet, ose të merret vendim për prokurim të drejtpërdrejtë të shitjes së pronës publike, ose të zbatohet ligji për këto prokurime. “Bëje si të duash, sa herë që diskutojmë gjëra të tilla vihemi në siklet”, përgjigjet Mediu, i cili tamam në këtë moment mbrohet andej nga nuk e priste, nga Jemin Gjana, i cili pranon se municioni i dalë jashtë përdorimit nuk bën më pjesë në pronën publike dhe pastaj sugjeron nga praktika e tij: “Unë po të nxjerr ndonjë gjë jashtë përdorimit e hedh, ose gjej mënyrën për ta groposur”.
Debati, saktëson një vit më pas burimi ynë, kalon mes kryeministrit dhe Mediut; zoti Berisha kërkon referencat ligjore dhe Mediu pretendon se i ka bërë edhe ato. Por as kjo gjë nuk pranohet dhe Mediu lëshon pe: “Këtë punë le ta zgjidhin specialistët e mi, specialistët e Kryeministrisë. Le të diskutojnë bashkë për të gjetur zgjidhje. Unë vetë nuk kam asnjë problem”. Por ndërkohë gjërat kishin shkuar larg, sepse ky është momenti që Bode bëhet edhe cinik: “Zgjidhjen duhet ta japësh ti vetë, sepse ti e ke problemin tënd”. Dhe kjo ishte pika që mbush gotën. “Në këtë shtet ka një problem, thuhet vetëm se çfarë nuk duhet bërë, por sesi duhet të bëhet, askush nuk ta thotë. Secili të marrë përgjegjësitë e tij. Dhe unë po e them, zoti kryeministër, të gjitha kompanitë e huaja që vijnë ju thuhet ‘Po’ nga juve, u thuhet ‘Po’ me vullnet politik. Pastaj nuk bëhet gjë. Të gjithë presin dhe pastaj ikin. Ishallah nuk ikën dhe kjo si gjithë të tjerat. Ligji më ngarkon me detyrime në kuadër të anëtarësimit të vendit në NATO”. Dhe Bode sërish po aq cinik përgjigjet: Zbato ligjet dhe rregullat!
Në sallë ka heshtje. Kryeministri merr një vendim të atypëratyshëm: ngarkon zëvendëskryeministrin Ilir Rusmali që të thërrasë ekspertë nga tre ministri, ajo e Mbrojtjes, e Financave dhe e Drejtësisë për t’i dhënë përgjigje me vendim qarkullues. Vetëm një muaj më pas, projektvendimi për demontimin e municioneve të dala jashtë përdorimit, në pronësi të ushtrisë shqiptare për llogari të SAC, miratohet me ndryshime në 14 mars 2007. Por deri atëherë kishin rrjedhur shumë ujëra. Gjakrat ishin zbutur në dukje, por tensioni ishte i pranishëm. Nuk është hedhur ende dritë se cili ishte mekanizmi jashtë tavolinës ovale të qeverisë, që u vu në funksionim dhe që i bëri anëtarët e qeverisë të miratonin ligjin. Tani, kur hetimi i tragjedisë së Gërdecit është në epilog të tij, kur Prokuroria ka marrë mbi 40 vetë të pandehur për këtë çështje, përfshi dhe vetë ish-ministrin Mediu dhe gjithë strukturën më të lartë drejtuese të Forcave të Armatosura, vendimi 138 i Këshillit të Ministrave është fëmija kopil, të cilit askush nuk i jep atësi.
Marrë nga revista MAPO
Përplasja Mediu-Bode në Qeveri, VKM-ja u ripunua pas refuzimit
TIRANE – Projektvendimi i qeverisë për të cilin ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu dhe kolegu i tij i Financave, Ridvan Bode, kanë pasur përplasje mes tyre, është iniciuar më 12 shkurt 2007. Në këtë kohë, Ministria e Mbrojtjes, me firmën e Fatmir Mediut, dërgoi në qeveri projektvendimin me titull “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC”. Projektvendimi në fjalë nuk u miratua për arsyet që i shpjegon fare qartë edhe debati mes Mediut dhe Bodes, megjithatë dokumenti i propozuar prej Ministrisë së Mbrojtjes kishte edhe një tjetër problem. Që në titullin e tij parashikohej se demontimi do të kryhej nga kompania amerikane SAC, çka do të thoshte se subjekti përfitues ishte përcaktuar para se të kryhej konkurrimi dhe zgjedhja e kompanisë që do të kryente demontimin. Vendimi për të cilin dy ministrat debatuan ashpër, u kthye mbrapsht nga qeveria për ripunim dhe përputhje me ligjet në Ministrinë e Mbrojtjes. Mediu e paraqiti përsëri projektin në fjalë për miratim në qeveri më 14 mars 2007 me ndryshime të vogla, por që në përmbajtje dokumenti përputhej me atë çka kompania SAC kishte kërkuar që më parë. t.s
Urdhërat e Mediut bazuar në VKM nr.138
Kronologjia
14 mars 2007
Miratohet VKM nr. 138, “Për procedurat e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Ky vendim përcaktoi procedurat e trajtimit të armëve dhe municioneve të hequra nga armatimi dhe përdorimi, si dhe procedurën e klasifikimit të tyre në kategori, ato për përdorim ushtarak dhe jo ushtarak, për shitje për skrap, shitje për çmontim dhe demilitarizim.
2 prill 2007
Ministri i Mbrojtjes, nxjerr urdhrin nr. 416 “Për ngritjen dhe funksionimin e komisionit të posaçëm për kategorizimin e kontingjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga armatimi dhe përdorimi”.
2 prill 2007
Ministri i Mbrojtjes, me propozim të Drejtorisë Juridike dhe Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve të Mbrojtjes, ka nxjerrë urdhrin nr. 417 “Për ngritjen dhe funksionimin e komisionit të Miratimit të Çmimeve”.
25 prill 2007
Ministri i Mbrojtjes, nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm nxjerr urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007 “Për zbatimin e VKM-së nr. 138, datë 14.03.2007 “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”.