E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinë gjithë natën, në mëngjes grinden me armë

ELBASAN/ Policia arreston 35-vjeçarin Endri Gupi, ndërkohë që është në kërkim personi tjetër


ELBASAN - Shumë të shtëna arme janë regjistruar rreth orës 08:00 të mëngjesit në mes të lagjes "11 Nëntori" në vendin e quajtur "Ish-supermarket Stafa". Dy të rinj pasi kishin qëndruar gjatë gjithë natës bashkë duke pirë alkool, në mëngjes janë grindur dhe një prej tyre duke qenë i armatosur ka qëlluar mbi tjetrin me një pistoletë. Gjithçka ka ndodhur në një ambient të hapur publik ku qarkullonin shumë njerëz, por për fat nuk ka pasur pasoja ndër kalimtarë.


Paniku dhe frika ka pushtuar të gjithë zonën përreth, madje shenjat e plumbave kanë mbetur në dy automjete të parkuara. Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje duke bërë të mundur kapjen e Endri Gupit, që dyshohet se ka qëlluar mbi Fatos Gjelin por për fat nuk e ka prekur në asnjë të shtënë. Gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e ngjarjes janë gjetur një pistoletë dhe gëzhoja fishekësh, të cilat janë bllokuar në cilësinë e provës materiale.


Po kështu në një automjet tip "Citroen" me targë YKX 2960 janë gjendur rreth 150 fishekë. Me grumbullimin e provave të para dhe dëshmisë së disa dëshmitarëve okularë, dy të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin dhe kanë pirë deri në mëngjes bashkë në një nga lokalet e kësaj lagjeje. Në mëngjes, kur alkooli ka arritur kulmin, ata janë grindur me njëri-tjetrin fillimisht me fjalë dhe më pas njëri prej tyre që ishte i armatosur, ka nxjerrë pistoletën e ka qëlluar disa herë.


Fatmirësisht, për shkak të gjendjes së dehur nuk ka pasur shenjestër dhe për fatin e tij plumbat nuk kanë kapur gabimisht kalimtarët. Ngjarja kaloi me panik tek banorët që kishin mbushur rrugën dhe lokalet përgjatë kësaj rruge kryesore. Ndërkohë, burime të policisë bëjnë të ditur se po punohet për kapjen e njërit prej të rinjve dhe sqarimit të plotë të ngjarjes.


Mësohet se është ndaluar personi që qëlloi dhe janë shoqëruar të tjerë për të dhënë shpjegime dhe më shumë detaje mbi ngjarjen. Ndërkohë, arma i është nënshtruar ekspertizës duke u klasifikuar provë materiale. Aktualisht 34-vjeçari akuzohet për tentativë vrasjeje.


Ai ka qëlluar disa here, madje edhe me mbërritjen e efektivave të policisë, të cilët kanë tentuar ta ndalojnë. Më të prekur mbeten pronarët e dy atomjeteve të parkuara që patën një xham të thyer dhe një bagazh të shpuar prej plumbave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›