E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pingpongu i opozitës mban të bllokuar reformën parlamentare”

16-09-2012 / Gazeta 55

Flet deputeti demokrat, Jemin Gjana

Bashkëkryetari demokrat i reformës parlamentare, Jemin Gjana, ka deklaruar se partia Socialiste ka bllokuar reformën parlamentare në dy pika, në 40 amendamentet që janë miratuar me konsensus nga grupi i punës. Në një prononcim për mediat, deputeti demokrat Gjana ka theksuar se PS-ja kërkon që koha e deklaratave të kryeministrit në Kuvend të jetë e barabartë me kreun e opozitës dhe që të ndryshohet mënyra e votimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese pa specifikuar nëse duhet të behet me votim të hokuar apo të fshehur. Demokratët thonë se këto ndryshime kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë, ndërsa socialistët kundërshtojnë.
Sipas bashkëkryetari demokrat i reformës parlamentare Gjana është shprehur se për këto dy çështje ku palët ndahen, kërkohet patjetër prekja e Kushtetutës, dhe kjo nuk është në objektin e punës së këtij organizmi. 
“Secili duhet të marrë dhe të lexojë Kushtetutën e vendit. Është e shkruar në mënyrë eksplicite në Kushtetutë, të hartuar nga kjo minorancë që është sot, kur ajo ka qenë në pushtet, Kryeministri ka të drejtë të marrë fjalën sa herë të dojë dhe kur të dojë në seancat e Kuvendit. Vazhdojnë të mbeten në një lojë të dyfishtë edhe për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Kanë sjellë edhe këtu propozime dhe problemin e kanë nëse do të votohen me shumicë të thjeshtë, kërkojnë në gjithë propozimet e tyre nuk kanë bërë kurrë fjalë nëse këto do të jenë të hapura apo të fshehta”, u shpreh deputeti Gjana. 
Këto dy pika duket se nuk i japin shumë mundësi miratimit të Reformës parlamentare në këtë pak kohë të mbetur deri në publikimin e progres raportit. Deputeti demokrat Gjana shton se PS-ja ka rritur valvulat e bllokimit për reformën parlamentare, duke vënë kushtin e miratimit të rregullores së kuvendit me 84 vota, në një kohë që vende të tjera demokratike, shprehet Gjana, nuk e kanë as në nivelin e ligjit.
“Ping-pongu që bën opozita është i tillë që e mban të bllokuar çështjen”, vijoi Gjana.
Prej më shumë se katër muaj ndryshimi i rregullores së Kuvendit është bllokuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›