E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinoku, pa zë në Teatrin Kombëtar

Premiera Interpretuan fëmijët e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe nxënësit e shkollë “Ylber”

Ata janë Edisoni, Enea, Ardit, Dhimitri, Jaiani, Erisi, Ernisa, Anxhela, Stelina, Eriola, Erjoni, Lorena, Elisabeta, Alaudin, Denisa, Almi, Eljona, Amanda, Luciana, Visi, Jozi, të cilët ngjitën dje pasdite në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar për të sjellë për publikun shfaqjen “Pinoku”. Vijnë nga Institutit i Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe nga shkolla “Ylber”. Prej gjashtë muajsh, së bashku me regjisoren Elma Dorezi dhe asistentët Irena Orucaj dhe Lorenc Gjuziata, janë përgatitur për të sjellë një shfaqje krejtësisht të veçantë para publikut. Fëmijë që nuk dëgjojnë dhe fëmijë që dëgjojnë janë bashkuar për të sjellë “Pinokun” në një version të ri. Një “Pinok” që flet me pantonima. Premiera “Pinoku” një laborator teatral, është një mënyrë për t’u dhënë mundësi të gjithë fëmijëve jo vetëm për t’u integruar, por edhe për të shprehur gjithë sa ndiejnë e për të treguar diçka më tepër rreth botës së tyre. Regjisorja Elma Dorezi shprehet se zgjodhi pikërisht Pinokun për shfaqjen me këta fëmijë, sepse është fillimisht një përrallë që ka një mesazh shumë të bukur e mbi të gjitha mjaft aktual. “Ka shumë skena dhe një mori personazhesh, ku të gjithë fëmijët mund të interpretojnë. Ky laborator teatral është e vetmja mundësi që këta fëmijë kanë për të shprehur atë që ndiejnë”, thotë ajo. Kjo shfaqje është pjesë në projektin "Magis" që Kooperacioni Italian për Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme Italiane bëjnë prej disa vitesh në Shqipëri për "Diagnostikimin e hershëm dhe integrimin social të fëmijëve që nuk dëgjojnë". Giuseppe Mazzini, përgjegjës i projektit në Shqipëri, thotë se bashkëpunimi me Shqipërinë për integrimin social të fëmijëve që nuk dëgjojnë nisi 7 vite më parë. “Projektin tonë e nisëm me ndihmën e Universitetit të Padovës që të ndihmonim fëmijët të rifitonin dëgjimin apo të folurën, por aty pamë se këta fëmijë ishin gjithë kohës të mbyllur në kolegj dhe e menduam të arsyeshme që përmes laboratorëve teatrorë të sensibilizonim shoqërinë për integrimin social të këtyre fëmijëve”, tregon Mazzini. Shfaqja teatrale “Pinoku” vjen nën drejtimin artistik të Tiziana Scrocca-s, skenografi të Beqo Nanajt dhe kostumografia të Xhevahire Kolgjini e Mbarime Spahiut. Pritet që në këtë shfaqje të marrin pjesë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, Spiro Ksera, ministër i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Saba d’Elia, ambasador i Italisë në Shqipëri, zonja Liri Berisha, presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë” dhe Nora Malaj, zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›