Prolog Giffoni, fund në Lezhë
Lezha ka qenë qyteti i fundit ku “Prolog Giffoni” ka organizuar një festë të filmit. Prej më shumë se dhjetë ditësh, ky format ka nxitur dëshirën e fëmijëve dhe të rinjve për t’u ulur para ekranit të madh, për t’u bërë pjesë e historive, për t’u njësuar me protagonistët, për të diskutuar e debatuar. Në kinoklubin e qytetit të Lezhës, për dy ditë është përsëritur i njëjti ritual, që më parë u takoi ta jetonin të rinjtë e Sarandës, Vlorës, Pogradecit dhe Durrësit. Atmosfera e parapërgatitur në qytet, me posterë dhe banderola njofton se për pak orë, ekrani i madh do të ndizet vetëm për ta. Kureshtja i çon zhurmshëm në dyert e kinoklubit, pastaj në nxitimin për të zënë karriget që u duken më të përshtatshme dhe zhurma fillon të shuhet teksa dritat fiken dhe projektimi fillon. Ata janë një brez i pamësuar me kinemanë. Filmat për ta janë ekrani i televizionit dhe gjithnjë e më shumë i kompjuterit. “Giffoni Film Festival” dhe ky prolog i organizuar disa muaj para edicionit të gjashtë të festivalit, e ka kthyer në qëllim sensibilizimin e fëmijëve dhe të rinjve për magjinë e ekranit të madh dhe më tej në një sensibilizim për strukturat e pushtetit lokal mbi mungesën e kinemave. Stafi i festivalit në këtë rrugëtim në qytetet kryesore turistike të Shqipërisë i ka shërbyer këtij qëllimi. Ndërsa mbrëmjet kanë qenë ndryshe në këto qytete, ku festivali ka sjellë atmosferë festive përmes koncerteve të organizuara me këngëtarë dhe grupe të njohur. Asnjë takim me këta të rinj nuk ngjan me tjetrin. Disa prej tyre e provojnë për së pari të shohin një film në ekranin e madh, të tjerë kanë qenë edhe më parë protagonistë të këtij festivali, e të tjerë, me kureshtjen që i karakterizon, ndjekin me vëmendje filmat. Në këtë takim të drejtpërdrejtë me fëmijët dhe të rinjtë në disa qytete shqiptare, që ndonëse kanë potencial artistik u mungon kinemaja, “Prolog Giffoni” shfaqi filmat më të mirë të dy viteve të fundit, prodhime kinematografike nga disa vende të botës. Temat i takojnë pikërisht botës së tyre. Projeksionet kanë propozuar tema aktuale që artistikisht kanë ofruar një model edukimi te qindra fëmijë dhe të rinj që i kanë ndjekur, i kanë vënë përpara alternativash zgjedhjesh dhe i kanë bërë ta duan filmin dhe kinemanë. I kthyer tashmë në një traditë, “Giffoni Shqipëria” do të vazhdojë të jetë një dritare e hapur për kinemanë e fëmijëve dhe të rinjve, një dritare për një brez që nesër të mund të vazhdojë traditën e të shkuarit në kinema. Një koncert i madh, që do të organizohet në sheshin “Nënë Tereza” më 30 maj në Tiranë, do të mbyllë këtë udhëtim të “Prolog Giffonit” përmes një atmosfere festive me këngëtarët dhe grupet e rinj më të njohur.
#