Pinte hashash, mban peng nënën nga frika e denoncimit në polici

Shtëpia e familjes Proko në Gjirokastër
GJIROKASTER – Një 27-vjeçar mban peng të tekave të tij të ëmën, pasi kishte frikë nga denoncimi i saj në polici për veprimet arbitrare. Thanas Proko, nga fshati Llongo i komunës së Dropullit të Sipërm, është prangosur nga forcat e Policisë së Gjirokastrës për tri vepra penale të konsumuara prej tij. Prej disa ditësh, ai ishte kthyer në një monstër të vërtetë për familjen Proko, pasi ushtronte dhunë dhe kërcënonte me vrasje të ëmën, nëse do të denonconte në polici veprimet e të birit për përdorim të lëndëve narkotike. Ka qenë një moment kur mesditën e djeshme, e ëma e Prokos ka gjetur çastin për ti shpëtuar të birit nga vëzhgimi ditor, duke shkuar në godinën e komunës në fshatin Vrisera. Pasi nuk ka parë prezencën e nënës në shtëpi, i riu është larguar me shpejtësi në drejtim të ambienteve të komunës dhe aty ka krijuar një zhurmë të madhe duke qëlluar me shkelma dhe mjete të forta dyert e godinës. E ëma e tij mësohet se kishte shkuar në komunë të ankohej për terrorin që përjetonte nga i biri, si dhe denoncuar ekzistencën e një sasie narkotike që 27-vjeçari e mbante të fshehur në banesë. Nën efektin e marijuanës, i riu, me një mjet metali në dorë, kërcënonte punonjësit e komunës të nxirrnin nënën e tij, por nuk ia arriti, pasi policia mbërriti në vendngjarje. Sapo ka dëgjuar për së largu sirenat e policisë, Proko është larguar menjëherë në drejtim të lumit përballë fshatit Vrisera. Uniformat blu u vunë në ndjekje të keqbërësit, i cili mundi të kapej pas dy orëve. Policia nuk u mjaftua vetëm me arrestimin për shkatërrimin e pronës dhe prishjes së rendit dhe qetësisë publike të Prokos, por ushtroi një kontroll të imtësishëm në banesën e 27-vjeçarit, ku në bazë të të dhënave të nënës së tij, gjendej një sasi prej gati 2 kg marijuanë. Sasia e marijuanës brenda një çante u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Veç dy veprave penale, mbi Thanas Prokon rëndon edhe vepra penale e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Proko, për Policinë njihej si një element i njohur në përdorimin e marijuanës dhe transportues i saj, por asnjëherë i kapur apo i dënuar nga Gjyqësori. Kapja e marijuanës së djeshme i bashkohet edhe dy rasteve të djeshme dhe arrestimit të pesë të rinjve, dy ditë më parë, nga Policia Rajonale për transport të lëndëve narkotike drejt Fierit dhe Tiranës. p.n