E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramida e Bashës

Nga Anila Basha

Një burrë e një grua kanë marrë vendimin për të prishur një vepër në qendër të kryeqytetit, me një veprim dhe vendim tërësisht arbitrar, jashtë çdo lloj parametri të funksionimit të demokracisë në një shtet të konsoliduar.

Do të ishte mirë, sikurse thotë kryetari i ri i bashkisë së Tiranës, që zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Por duke qenë se në Shqipëri dystandartet tanimë nuk janë një përjashtim, por janë një rregull i pranuar gjerësisht nga politikanët, tanë ashtu sikurse janë kthyer në standard për demokracinë shqiptare, edhe ky zë i qytetarëve, tani nuk duhet të dëgjohet. E pse? Sepse kështu kanë vendosur kryeministri Sali Berisha, e kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Nuk dua të zgjatem shumë në vlerat e atij objekti në qendër të kryeqytetit, sepse për këtë kanë folur dhe do të vazhdojnë të flasin, arkitektë, intelektualë, njerëz të fushës që e kanë trajtuar gjerësisht në media këtë fakt.

Por ajo që është më shqetësuese, është heshtja e kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. E kemi dëgjuar gjatë fushatës për tu zgjedhur kryetar se ai ishte duke e dëgjuar zërin e çdo qytetari shqiptar dhe ishte kundër prishjes së Piramidës, por ishte pro ndërtimit të një parlamenti.

Tani, kur firmëtarët e peticionit për mosprishjen e Piramidës, janë më shumë sesa 90 votat e pavlefshme që Basha gjeti në kutitë jo të duhura, dua ta pyes publikisht kryetarin e bashkisë: pse nuk na e dëgjon zërin e cdo qytetari dhe pse nuk na e lexon votën e gjithsecilit prej nesh?

Nuk ma merr mendja se sapo Basha fitoi mandatin e ka shtyrë për më vonë këtë çështjen e dëgjimit të zërit të çdo qytetari. Ashtu sikurse nuk e mendoj, se, kryetari i ri i bashkisë, që do të na e bëjë jetën në kryeqytet më të bukur, nuk ka aq shumë influencë te kryeministri Sali Berisha apo kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Nëse ai e merr mandatin e kryebashkiakut, me një premtim të parë të gënjeshtërt (sikurse ishte premtimi se ishte kundër prishjes së Piramidës), atëherë kjo do të zhgënjente shumë nga zërat e qytetarëve për të cilët kryebashkiaku u përgjërua, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve vendore të 8 majit se do ti dëgjonte e do ti merrte në konsideratë.

Tanimë, kjo është një sfidë personale për të, për tu rreshtuar krah deklarimeve të shoqërisë civile kundër prishjes së Piramidës. Se nuk bëhet fjalë vetëm për zërin e qytetarëve shqiptarë. Por kohët e fundit, kanë filluar edhe ambasadorë të vendeve evropiane të shprehen kundër prishjes së këtij objekti.

Kryetari i ri i Bashkisë mund të justifikohet me faktin se ende nuk e ka marrë zyrtarisht detyrën, dhe se ende nuk është konstituuar këshilli bashkiak. Por, ky mbetet vetëm një justifikim. Lulzim Basha, publikisht duhet të dalë për të dhënë qëndrimin e tij për një premtim të fushatës. Në fund të fundit, do të dëshironim të dëgjonim edhe zërin e qytetarit të parë të Tiranës, sepse pikërisht në Tiranë, do të prishet ky objekt.

Për pak e kishim harruar atë shprehjen e famshme të kryeministrit Berisha, për ti vënë rruspat korrupsionit. Dhe heshtja e kryetarit të ri të bashkisë po bëhet pjesë dhe palë e këtij procesi. Sepse Berisha për të vetmin rast, është i vendosur ti vërë rruspën korrupsionit. Por në kahun e kundërt. Do ti vërë rruspën korrupsionit që prej 20 vitesh është bërë tek Piramida, rruspën për të mbyllur gjithë ato abuzime miliona euroshe që janë bërë me këtë godinë që ka ngrënë abuzivisht dhe në mënyrë shumë publike, paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Me heshtjen e tij, është edhe kryetari i Bashkisë ai që do të mbyllë sytë, për të mbyllur korrupsionin. Fundja nuk është gjë e re. Të mbyllësh histori vjedhjesh në Shqipëri, sërish është kthyer në normë. Piramida duhet shembur për shtetarët e sotëm por edhe për Lulzim Bashën me heshtjen e tij. Dhe jo se Piramida është kulti i diktatorit Enver Hoxha. Por sepse nën gërmadhat që do të lënë rruspat e bashkisë së Tiranës, do të varrosen edhe abuzimet.

Por më vjen keq kryetar! Ndoshta qëlloi edhe shans i keq që premtimi juaj i parë për të cilin u vutë në provë, ishte një premtim i gënjeshtërt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›