E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirateria, Inspektorati i tregut ka konfiskuar 10 mijë kopje të CD-ve

Një grup pune i ngritur nga qeveria e Kosovës për të ndalur shitjen e mallrave të falsifikuar po tregon rezultate e po i bashkohet një prirje të qeverive rajonale që po synojnë me agresivitet materialet pirate.

Autoritetet konfiskuan mijëra CD e DVD të falsifikuara në javën e parë pas njoftimit të qeverisë më 16 gusht se do të kishte një politikë me tolerancë zero ndaj piraterisë.

"Gjatë kontrolleve, deri tani Inspektorati i Tregut ka konfiskuar 10,000 kopje të CD-ve me muzikë, filma e programe kompjuterike të huaja e nëse vërtetohet se janë të falsifikuara, atëherë do të nisen procedura ligjore ndaj shitësve të këtyre produkteve," tha për SETimesValon Kashtanjeva, drejtor i zyrës për të drejtat e autorit në ministrinë e kulturës.

Kashtanjeva tha se materialet janë konsideruar pirate sepse zotëruesit e të drejtës së autorit janë jashtë vendit e asnjëri në Kosovë nuk është i autorizuar të shesë rregjistrimet. Ai tha se shumica e materialeve të konfiskuara janë filma e muzikë në anglisht që shiten për një euro copa, shumë më ulët se çmimet normale të tregut.

Njësia e policisë së krimit në internet e Kosovës, që është pjesë e forcës speciale, po heton më shumë se 200 adresa interneti që janë njoftuar nga zotëruesit e të drejtës së autorëve që dyshohet se prodhojnë materiale të falsifikuara. Shumica e këtyre lidhjeve merren me muzikë e filma të huaj.

“Shpresoj se shumë shpejt do të jemi në gjendje të bllokojmë këto faqe në internet," tha Kashtanjeva.

Ekspertët kanë kohë që ankohen për mallrat e falsifikuara si të dëmshme për ekonominë. Vendet e Ballkanit që përmirësojnë mbrojtjet e pronës intelektuale do të pakësojnë piraterinë, do të rrisin të ardhurat nga taksat dhe t'a bëjnë rajonin më të dëshirueshëm për investitorët e huaj.

Qeveritë në Maqedoni, Serbi e Kroaci kanë departamente që vëzhgojnë shkeljet e pronës intelektuale. Serbia, në veçanti, humbi gati 87 milionë euro për shkak të programeve kompjuterike pirate më 2011.

Policia e Kosovës arrestoi Emrush Thaqin, pronar i Emra Com në Prishtinë, me akuzat për shkelje të së drejtës së autorit, shmangie nga taksat e ligjet e falsifikimit.

"Mbështetur në hetimet policore i arrestuari nënshkroi në emër të një kompanie kontrata të rreme me një kompani tjetër e siguroi të drejtën e autorit për të gjitha produktet e prodhuara nga një kompani e tretë, duke e dëmtuar të fundit për rreth 30 milionë klikime në Youtube," tha për SETimes zëdhënësi i Policisë së Kosovës Brahim Sadriu.

Autoritetet thanë se ata do të synojnë më tej libraritë që shtypin e shpërndajnë libra shkollorë në mënyrë të paligjshme duke shkelur ligjet e të drejtës së autorit.

Kreu i Inspektoriatit të Tregut, Ruzhdi Shehu, tha se forca speciale do të punojë gjithashtu në kalimet kufitare.

"Edhe dogana e Kosovës është pjesë e forcës speciale e do të japë mbështetjen e saj në aspektin e kompetencave ligjore në kontrollin në kufi të këtyre produkteve ose më saktë kundër materialit pirat të importuar nga vende tjera. Në këtë drejtim çdo produkti të importuar që i mungon dokumentacioni i përshtatshëm ligjor do të konfiskohet e veprim ligjor do të ndërmerret kundër atyre që janë duke u përpjekur t'i fusin këto produkte në tregun e brendshëm," tha Shehu.

Artan Zeneli, i shtëpisë botuese Buzuku në Prishtinë, tha se e mbështet përpjekjen.

"Një çështje alarmante është botimi pa kriter e pa respektuar të drejtën e autorit të librave të teksteve shkollore," tha ai. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›