E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë dhe “Gani Bobi”, sondazhi që bindi Ramën për LSI-në

Këshilltari i kryeministrit të ardhshëm për rajonin, Shkëlzen Maliqi, rrëfen njohjen e tij me Edi Ramën. I njohur për sondazhet e Institutit “Gani Bobi”, analisti nga Prishtina sqaron marrëdhëniet e tij me PS-në dhe PD-në. Si e bindi Ramën qysh më 2011 të bashkohej me LSI-në.

Kush ju propozoi si Këshilltar i Ramës dhe si e pritët?

E di për një person që më ka rekomanduar sepse më ka pyetur nëse do ta pranoja ta këshilloja Ramën, por nuk është dashur ta bind atë. Me Edi Ramën, Kryeministrin e ardhshëm, njihem që nga viti 1992. Jemi miq dhe kemi respekt të madh për njëritjetrin… Unë besoj në vizionin e Ramës…

Më sa di, në një seri shkrimesh në gazetën “Express” të Kosovës, keni qortuar disa nga veprimet e Ramës, në raport me koalicionet politike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim ku shpreheshit se PS-ja dhe LSI-ja duhet të kishin bashkëpunuar. Mendoni se ky bashkim solli dhe fitoren e së majtës?

Në prill të këtij viti, pas pajtimit të Ramës me Metën, kam botuar një analizë pse Sali Berisha mbeti në pushtet 8 vjet. Arsyeja është çarja në PS dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët me LSI-në. Pasi që nga viti 2005, kam bërë një sërë sondazhesh opinioni në Shqipëri. Gjithnjë më ka rezultuar se e majta e bashkuar ka më shumë përkrahës se e djathta. Në vjeshtë të vitit 2011 kam realizuar një sondazh të thellë që edhe Ramën e bindi për domosdoshmërinë e koalicionit me Metën…

Shqipëria ju njeh si personi që jeni marrë me sondazhe të “Klanit” dhe përkrahës i Sali Berishës. Mos po pohoni me këtë se keni bërë sondazhe edhe për PS-në?

E po, Instituti “Gani Bobi” ka punuar për Klanin, nën hijen e Berishës, si dhe për Metën dhe Ramën… Ajo që kam thënë në kritikën e Ramës, kanë qenë edhe konkluzionet sondazhit, që Rama i ka marrë seriozisht. Kurse puna e sondazheve është si e avokatit, është një shërbim që mund t’i ndihmojë partitë ta kuptojnë se kush dhe sa i përkrah dhe eventualisht t’i korrigjojnë dobësitë dhe gabimet. Vetëm se shumica e politikanëve, si dhe opinioni dhe mediat, nuk u besojnë sondazheve, ose i keqinterpretojnë…

Si e gjykoni këtë zgjedhje të z Rama për të marrë një personalitet nga rajoni i Kosovës si këshilltar?

Mendoj se është gjë pozitive. Shqipëria dhe Kosova kanë shumë gjëra të përbashkëta, komunikimet janë gjithnjë e më intensive. Duhet të ndërtohen marrëdhëniet kontraktuale mes dy shteteve që sot shpesh çalojnë ose prodhojnë situata “eksesive”, e kemi tregun pothuajse unik kulturor dhe media. Mund dhe duhet t’i kemi ekonomitë “kompatibile” me unionin doganor etj, etj. Dhe a duhet ta përmend përfaqësuesen shqiptare në futboll që aktualisht është një simbiozë që stimulon fuqishëm idenë e bashkimit… Por, më duhet të them se edhe pa ftesën e Kryeministrit, unë e kam pasur idenë që pleqërinë ta kaloj në Shqipëri. Më pëlqen ambienti, klima, ushqimi…

Së fundmi ka lindur një debat për Turqinë si partner strategjik i Shqipërisë Shqipërisë. Cilat janë pasojat sipas jush të kësaj lëvizjeje diplomatike që kanë sjellë edhe reagim të demokratëve?

Më sa e kam kuptuar Kryeministrin, ai ka veçuar tre partnerë strategjikë, Turqinë, Italinë dhe Greqinë. Është një balancë e natyrshme për Shqipërinë, sepse është edhe një lloj pasqyrimi i politikës së brendshme në politikën e jashtme, si dhe anasjelltas. Po, kështu, këto tri shtete janë edhe partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë dhe stimulues të zhvillimit më të qëndrueshëm.

Si e shihni faktorin e Shqipërisë në rajon? Sipas jush, çfarë duhet të ndryshojë politika e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në sjelljen e tyre në rajon?

Shqipëria ka qenë, dhe duhet të mbetet faktor i stabilitetit në rajon. Gjatë turbulencave të mëdha që ndodhën në rajon në disa dekadat e fundit, Shqipëria gjithnjë luante rol konstruktiv. As për çështjet e Kosovës, Maqedonisë Perëndimore dhe Çamërisë, etj, Shqipëria nuk ka shfaqur pretendime territoriale apo eksportuar ekstremizëm. Përkundrazi. Por, në disa raste kjo është keqkuptuar dhe keqpërdorur nga fqinjët, sepse e kanë marrë si shenjë dobësie, madje edhe për ta shantazhuar shtetin shqiptar. Politika shqiptare duhet të jetë parimore dhe pa komplekse edhe kur ndeshet me real-politikën, p.sh. në çështjen e respektimit të të drejtave të çamëve, kuptohet gjithnjë duke e kuptuar si pjesë të afirmimit të partneritetit strategjik me Greqinë. Mendoj se edhe për Greqinë është absurde që nuk po e heq Ligjin e Luftës!

Mendoni se Greqia mund ta njohë së afërmi Kosovën dhe a lidhet qëndrimi i saj për këtë çështje edhe me marrëveshjen e ujërave detare?

Nuk besoj se ujërat detare janë pengesë për njohjen e Kosovës. Më sa di Greqia më shumë ka konsiderata ndaj qëndrimit të Qipros, që frikësohet se njohja e Kosovës do të mund ta legjitimonte pavarësimin e Republikës Turke të Qipros. Greqia mban marrëdhënie relativisht të avancuara me Kosovën. Shumë shpejt do të hapet Përfaqësia e Kosovës në Athinë, jo në nivelin e ambasadës, por gjithsesi si përfaqësi politike dhe ekonomike, si një fazë e parë e njohjes së realitetit.

Ç'do të ndodhë

Kuvendi i ri, dalë nga votat e 23 qershorit do të mblidhet në datën 9 shtator në orën 18.00. “Në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi mbledhjen e Legjislaturës së XIX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18:00“, shkruhet në dekretin e kreut të shtetit. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës. /shekulli/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›