E Diel, 1 Nëntor 2026

Pirgu: Diploma e Bosit? E lanë me aq nga frika

ROME-Tenori Saimir Pirgu është e kundërta e Renzo Bossit. Është 31 vjeç, emigrant, për të qenë më të saktë nga Shqipëria dhe, ndodhet ne Itali që prej vitit 2000. Ka studiuar violinë në Tiranë dhe më mbrapa është diplomuar shkëlqyer për kanto në Konservatorin e Bolzanos. Sërish në Itali, fiton konkursin "Caruso", "Tito Schipa" si dhe ka marrë titullin "Corelli". U zbulua nga i madhi Pavarotti dhe u lançua nga Abbado. Edhe pse kaq i ri, ai ka prekur pothuajse të gjitha skenat e teatrove operistike. Të hedhim një vështrim në axhendën e tij; Maj: Traviata alle Wiener Festwochen. Qershor: Debutim në Arenën e Veronës. Gusht: Në Festivalin e Salisburgut nën drejtimin e Mutit. Ky është Pirgu në tregun e muzikës operistike. Banon në Verona, ndihet italian dhe kërkon nënshtetësinë. Zien si diçka tepër "e rëndë" çështja e "Troftës" sa i takon diplomës së tij dorëzuar nga Universiteti Kristal në Tiranë.
Çfarë mendoni mbi diplomën shqiptare të Renzo Bossit?
"Pas sloganit "Roma plaçkitësja", Lega zbulon hajdutë në mesin e saj. Duke u nisur nga vitet e komunizmit në Shqipëri nuk ndihem shumë afër me të majtën, por të tilla fushata denigruese të Lega-s nuk po funksionojnë".
Çfarë reputacioni ka Universiteti Kristal?
Ka publicitet të tepruar duke u konsideruar universiteti i diplomave të lehta. Kush ka ndërmend të studiojë vërtet, ose shkon jashtë Shqipërisë ose frekuenton universitetet shtetërore.
Çështja ka ngritur polemika në Shqipëri?
Jo aq sa pritej dhe kjo më ka zhgënjyer. Do të kishte qenë rasti më i mirë për një fitore të arsimit. Por ndoshta e lanë me aq pasi s'duan të zbulojnë të tjera detaje të pakëndshme.
Studimet tuaja në Tiranë kanë qenë shumë të rregullta. Përse zgjodhët Bolzanon?
Kisha dërguar në të njëjtën kohë kërkesë konservatorit të Romës, Milanos dhe Bolzanos. Vetëm kjo e fundit m'u përgjigj.
Fituat një bursë studimi?
Jo. Në atë kohë konservatoret nuk kishin të njëjtat procedura si universitetet ndaj nuk mund të përfitoja asgjë nga ato që Bolzano mund t'iu jepte studentëve. Kështu, pas tri ditësh, pa asnjë lekë nëpër xhepa, u paraqita pranë një konvikti në Salesiani. Në fillim nuk më pranuan sepse kishin pasur probleme me bashkëvendasit e mi shqiptarë. Unë këmbëngula duke iu thënë që mund edhe të punoja te ata për të mbajtur veten dhe në fund më pranuan.
Dhe, çfarë bënit atje?
Pjatalarësin, për dy vite rresht.
Pastaj?
Në vitin 2002, falë dy çmimeve të para që fitova në dy konkurse, fitova edhe 10 mijë euro. Bëra audicionet deri sa përfundova te Abbado. Pastaj erdhi kontrata e parë me Vienën. Dhe, vazhdoi....
Të kthehemi te nënshtetësia juaj. Prej sa kohësh e kërkoni?
Që prej 2010, pas afro 10 viteve qëndrim në Itali, sikurse e kërkon edhe ligji. Meqë nuk më erdhi asnjë përgjigje, atëherë e riprovova në 2012. ajo që s'kuptoj është fakti që edhe pas verifikimeve unë rezultova një njeri i ndershëm dhe punëtor, nuk po ma njohin kërkesën për nënshtetësi.
Sa punoni ju në Itali?
Në të vërtet vetëm 10% e aktivitetit tim është këtu, por unë jetoj prej vitesh në Verona dhe hapat e mitë parë i hodha në Itali duke kënduar operat italiane. Njëkohësisht, taksat i paguaj këtu, për Italinë. Meqë ra fjala, punoj jashtë dhe paratë i sjell në Itali. Nëse Italia vazhdon të më taksojë dhe nuk më njeh si qytetar të saj, atëherë nuk ka sens që të vazhdoj të qëndroj këtu. Është pothuajse e njëjta bisedë që bëjnë edhe shumë profesionistë të tjerë me nivel të konsiderueshëm që janë ekstrakomunitarë (të huaj).
Nuk keni menduar ndonjëherë për të fituar një nënshtetësi tjetër?
Në vitin 2004, në Austri mu dha mundësia të kisha nënshtetësinë austriake kjo falë meritave të mia artistike. Por mu desh të hiqja dorë nga shtetësia shqiptare dhe gjithë shpresat i kisha te ajo italiane. E adhuroj Austrinë por edhe tiparet e fytyrës time janë ato të një latini.
Në Verona, qytetin ku jetoni, u rizgjodh kryebashkiaku i Legistëve. Jeni i kënaqur?
Tosi i ka dhënë një tjetër pamje qytetit. Vendosi rregulla të cilat filluan të respektoheshin nga të gjithë, duke krijuar kështu respekt.
Si e takuat Pavarotin?
Ishte në Merano për mjekimin që ndiqte për tu dobësuar. Mësova se ai ishte i gatshëm dhe kishte dëshirë të dëgjonte zëra të rinj. U prezantova. Pas takimit nuk më la asnjëherë pas dore. Atij ia dedikoj përsosjes së zërit tim.
Sa kushtonte të merrje leksione nga Pavaroti?
Kurrë s'më kërkoi asnjë lirë. Përkundrazi, më ftonte për drekë edhe në shtëpi. Në shtëpinë e tij përherë kishte të paktën 20 veta, argëtoheshim mes nesh, hanim pasta dhe nuk mungonte asnjëherë Lambrusco.

(giornale.it)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›