E Diel, 1 Nëntor 2026

Pirlo gjenial, Juve fshin Parmën

SHKRUAN: Jeton Selimi 12-09-2011 13:29

Goditje e fortë, por a do të jetë gjithnjë kështu? Pyetja që të gjithë tifozët e Juves i kanë bërë vetes ka marrë përgjigjen e parë. E çfarë përgjigjeje. Andrea Pirlo e ka në dorë që tani Juven dhe ndeshje të tilla në gjithë sezonin e shkuar mund të ketë bërë tre apo katër. Bardhezinjtë mposhtin 4-1 Parmën dhe njeriu i faqes së parë në stadiumin e ri është pikërisht kampioni nga Breshia dhe ndaj skenën me Del Pieron, që në pjesën e dytë nxjerr para portës Matrin dhe Pepen. Të gjithë luajnë një ndeshje të mirë. Në fitoren e padiskutueshme të Juves regjistrohen edhe një shtyllë, mohohet një penallti dhe një gol i rregullt, hyn edhe Parma në versionin modest, që mezi e nxjerr hundën në mesfushën tjetër dhe aq më tepër të gjuajë në portë. Por befason sinkronizimi i Juves. 4-2-4 i ngjan sumë një 4-2-3-1, me krahët që furnizojnë si Matrin, si Del Pieron që luan pak më i spostuar pas. Pirlo jep një top të mrekullueshëm për Lihshtejner, që kontrollon bukur dhe mposht me ftohtësi Miranten. Matri kupton se nuk është ditë për të shënuar dhe pasi teston disa herë reflekset e Mirantes, sheh t’i anullohet edhe një gol i vlefshëm. Në pjesën e dytë dhe me avantazhin 2-0 pas golit të Pepes që shërbehet saktë në zonë nga Del Piero, Konte ndërron modul. Vidal futet në vend të kapitenit dhe mesfusha modifikohet me 3 lojtarë: kileni, Pirlo dhe Markizio. Por loja mbetet po e bukur. Është pikërisht Vidal që shënon me një gjuajtje akrobatike në hyrje të zonës dhe në fund, Pirlo dhuron një tjetër top të saktë në qendër për Markizion. Ky i fundit me një prekje delikate shënon golin e katërt dhe të fundit për bardhezinjtë. Në fund ka edhe një gol për Parmën. Një penallti e fituar nga Xhovinko shndërrohet në gol nga ish-lojtari i Juves. Megjithatë, më shumë sesa goli i pësuar, Konten e shqetësoi kartoni i kuq i De Çeljes.

Vapa e madhe ndal Romën, por kënaq Kajliarin. Luis Enrike lë në stol Kjaerin dhe hedh nga minuta e parë Heinzen, ndërsa në sulm Osvaldo luan krah Totit dhe Krkiçit. Ndërsa te sardët Tiago Ribeiro luan titullar dhe El Kabir e nis nga stoli. Megjithatë, i pari që do të shënojë do të jetë kapiteni i Kajliarit Daniele Konti në minutën e 68-të. Sfida ndizet shumë, por edhe njëherë do të shënojnë miqtë me anë të El Kabir, pak sekonda përpara se Daniele de Rosi të shkurtonte diferencën. Megjithatë 3 pikë të merituara për Kajliarin që arrin tre pikët e para sikundër edhe Udineze që mposht Leçen dhe Fiorentina që mposht Bolonjan. Të dyja sfidat janë mbyllur me rezultatin 2-0. Ndërkohë, në barazim kanë përfunduar Katania – Siena 0-0, Kievo – Novara 2-2 dhe Xhenoa – Atalanta 2-2.

Konte: Të mos bëhemi euforikë

“Ishte një nisje e rëndësishme”. Më mirë sesa kështu, për Juventusin e Antonio Kontes, nuk mund të shkonte: debutim në kampionat, në stadiumin e sapoinauguruar me një rezultat 4-1 ndaj Parmës. “Është ajo që ne presim dhe që presin tifozët – shpjegon Konte – që i falënderoj për sot (dje) sepse luajtëm me një njeri më shumë në fushë. Na kanë mbështetur që nga fillimi dhe në fund djemtë e merituan këtë ngrohtësi. Pamë shumë gjëra të bukura, por nuk duhet të fryjmë askënd. Jemi në fazë rindërtimi, e kemi nisur nga themelet dhe kemi nevojë t’i vëmë tullat një e nga një për të ndërtuar një ndërtesë të rëndësishme, për të sotmen dhe të ardhmen”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›