E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pishina e Gërmisë do të hapet më 12 qershor

Pishina e Gërmisë ka bërë pothuajse të gjitha përgatitjet e nevojshme që pushuesve të saj gjatë sezonit veror t’iu ofrojë kushte sa më optimale, ndërsa kësaj radhe janë paraparë edhe një sërë aktivitetesh kulturore-sportive, të cilat kanë për synim tërheqjen e sa më shumë vizitorëve.

Drejtori i kësaj pishine, Enver Rakovica, ka konfirmuar për Kosovapress se hapja e zyrtare e pishinës do të bëhet më 12 qershor, ndërsa çmimet e biletave për vizitorë edhe kësaj sezone do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar.

“Përgatitjet kemi filluar gati që dy javë. Jemi në përgatitje e sipërm për sa i përket gjelbërimit dhe pastrimit të ambientit përreth. Tash do të fillojmë edhe me kositjen e barit dhe mbushjen e liqenit me ujë. Besoj që deri në hapjen e sezonit veror, që do të jetë zyrtarisht më 12 qershor, të gjitha përgatitjet do të jenë të gatshme”, ka thënë ai.

Rakovica siguron qytetarët se cilësia e ujit të pishinës është në nivel të lartë, pasi që vazhdimisht bëhet kontrollimi i tij nga ekipet e higjienës, ndërkaq për sigurinë e notuesve do të përkujdesen zhytësit, të cilët do të jenë të gatshëm si zakonisht të intervenojnë nëse vjen deri te ndonjë e papritur.

“Gjithmonë ofrojmë kushte të mira, si pastërtinë e ambientit, pastërtinë e ujit. Ne nuk kemi ndonjë luks në liqenin tonë, sikur pishinat tjera të vogla. Është një liqen i madh, në të cilin kemi mjaft vështirësi për të investuar, në mënyrë që qytetarët të kenë komoditet më të mirë, mirëpo sa iu përket gjërave elementare ne ofrojmë maksimumin”, ka theksuar ai.

Mos zbritjen e çmimeve të biletave për vizitorë Rakovica e arsyeton me mungesën e të hyrave të tjera me të cilat do të financohej pishina.

“Pagesën sipas llogarisë sonë nuk kemi mund ta zbresim. E kemi si zakonisht një euro dhe për të rriturit dy euro, për më të vegjlit deri 6 vjeç e kemi pa pagesë. Ne vetë financohemi dhe sipas të gjitha llogarive nuk kemi pas mundësi të bëjmë një zbritje të çmimit”, ka thënë Rakovica.

Rakovica thekson se gjatë sezonit veror do të ketë edhe një sërë aktivitetesh të ndryshme kulturore-sportive, të cilat do të bëjnë më tërheqëse pishinën për vizitorë, andaj pret që numri i tyre sivjet të jetë më i madh.

Për më tepër, Rakovica thekson se me përjashtim të investimeve të domosdoshme për mirëmbajtjen e pishinës, investime tjera nuk kanë pasur mundësi të bëjnë, për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ndonëse disa herë kanë biseduar në lidhje me këtë çështje me autoritetet komunale të Prishtinës.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar pishinën e Gërmisë e kanë vizituar 71.836 qytetarë, shumica prej tyre nxënës të shkollës fillore dhe të mesme. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›