Dalin për qitje, vritet adoleshenti

DIBËR/ Altin Stërmilla, 17 vjeç, ka gjetur vdekjen pasi është goditur nga një plumb rikoshet i shtënë nga shoku i tij
Policia bëri me dije se 9 adoleshentë kishin dalë për piknik dhe kishin realizuar qitje me një armë automatike
DIBËR - Kanë dalë për të luajtur me armë nëntë djem nga fshati Ilnicë i Dibrës, por vetëm tetë prej tyre janë kthyer në shtëpi, ndërkohë që një 17-vjeçar ka gjetur vdekjen pas një plumbi të marrë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërsa viktima është Altin Stërmilla, teksa qitësi është ndaluar e ndaj tij është ngritur akuza e "vrasjes nga pakujdesia".
Ngjarja
Burime nga policia bënë të ditur se 9 shokë kishin dalë për piknik në bjeshkët e malit Hinos të fshatit Ilnicë të komunës Melan. Të nëntë adoleshentët ishin nën moshën 17 vjeç. Me vete ata kanë marrë edhe një armë automatike dhe me të mësohet se kanë bërë qitje në bjeshkë. Por një nga plumbat e shkrepur nga adoleshenti A.Çupi mësohet të ketë bërë rikoshet dhe të ketë goditur shokun e tij, 17-vjeçarin Altin Stërmilla.
Pasi kanë parë ngjarjen, shokët e kanë marrë të plagosurin dhe janë munduar t'i japin ndihmë. Ata kanë lajmëruar spitalin, si dhe policinë, ndërkohë që një autoambulancë ka marrë të sëmurën për ta transportuar me urgjencë për në spitalin e Peshkopisë.
Por adoleshenti ka ndërruar jetë para se të arrinte në duart e bluzave të bardha. Policia ka marrë në pyetje të gjithë adoleshentët e pranishëm në vendngjarje, teksa mësohet se ata kanë dëshmuar lidhur me faktin se kishin dalë për piknik dhe se me armën kishin realizuar qitje. Pas dëshmive të marra, është bërë ndalimi i 17-vjeçarit A.Çupi. Ai është shoqëruar për në komisariat, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "vrasjes nga pakujdesia".
Precedenti
Vetëm rreth një muaj më pare, në qytetin e Elbasanit, një burrë humbi jetën pasi u godit me armë zjarri ndërsa ishte duke peshkuar. Policia arrestoi rreth 20 ditë më vonë pesë të rinj, të cilët sipas hetimeve rezultuan se ishin autorët.
Pas marrjes së dëshmive në vendngjarje, ishte mësuar se të rinjtë kishin marrë një armë automatike dhe me të kanë kryer qitje kundrejt një shënjestre e që në këtë rast ishte pikërisht peshkatari. Ata u arrestuan të pestë, ndërsa ndaj tyre u ngrit akuza e "vrasjes në bashkëpunim".