E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncesionimi i ANP’së, lajm i mirë për Kosovën

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, nëpërmes një deklarate për media, i dha të shtunën mbështetje koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Feith tha se i ka ardhur mirë kur ka mësuar për rezultatin e procesit të tenderit të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Në veçanti, është e rëndësishme të theksohet se procesi ishte konkurrues deri në fund. Rezultati tregon se mundësitë e mirë-dizajnuara të investimit në Kosovë mund të jenë tërheqëse për investuesit e huaj të mëdhenj dhe me reputacion”, tha Feith.

Sipas tij, ky është hapi i parë në privatizimin e ndërmarrjeve me pronësi publike dhe kjo është një reformë e rëndësishme strukturore, që mund të stimulojë rritjen dhe përmirësimin e aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës, e cila në anën tjetër është në përfitim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Suksesi i këtij procesi tani mund të shërbejë si një shembull për transaksionet e ardhshme të rëndësishme, që përfshijnë privatizimin e PTK-së dhe Projektit të Ri të Kosovës për Energjinë”, tha Feith në deklaratën e tij.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›