Pishina, relaks dhe merkato, ja si Shqipëria e pret Francën
Mes stërvitjeve të ditëve të paradites dhe pasdites, lojtarët e kombëtares shqiptare kanë gjetur hapësirën e duhur për të shkrydhur pak muskujt e ngarkuar nga faza përgatitore si dhe për të bërë ato gjërat e zakonshme, bisedat për klubet e tyre dhe kundërshtarin e ardhshëm, ndonjë lojë murlan apo edhe facebook.
Ditën e djeshme, një grup lojtarësh, mes tyre Cana, Vangjeli etj, kishin vendosur të relaksoheshin buzë pishiniës së Hotel “Dyrrah”, për të përfituar disi nga orari bosh menjëherë pas drekës së përbashkët. Normalisht, stresi për këtë sfidë nuk është aq i lartë saç ishte për Bjellorusinë. Normalisht që diferencat mes “rusëve të bardhë” dhe “gjelave francezë” janë të dukshme, por situatat janë ato që kanë sjellë njëfarë qetësie në kampin kuqezi. E vërteta është se që në parkingun e hotelit e deri në korridoret e lojtarëve nuk ndjehet asnjë frymë entuziasmi si përpara ndeshjeve të tjera të këtyre eliminatoreve. Humbja me Bosnjen duket se ka shuar përfundimisht ëndrrën për kualifikim dhe kjo i ka bërë gjërat me të lehta.
Banjo dielli dhe internet
Vapa bën të vetën dhe pas një stërvitjeje shkrydhëse, lojtarët janë ndarë sipas dëshirave të tyre për të shtyrë kohën. Cana me Vangjelin kanë zgjedhur të qëndrojnë në pishinë, Skela me Duron, si më të vjetër që janë, nuk heqin lehtë dorë nga një lojë me letra, tip pesëkatësh apo murlan, kohëvrajse kjo që ka humbur te të rinjtë e kombëtares. Hyka me shokë e kanë mendjen të lundrojnë në internet dhe të qëndrojnë gjatë në faqen e tyre të preferuar: rrjetin social facebook, ku bisedojnë me miqtë dhe shokët.
Bogu e Salihi, sytë nga celulari
Por ka edhe lojtarë që janë të përfshirë nga ethet e merkatos. Nëse për Vangjelin psita ukrainase duket punë e përfunduar, nuk mund të thuhet kështu për Duron, Bogdanin apo Salihin. I pari ende nuk e di se ku do të përfundojë dhe ka kohë më shumë se të tjerët në dispozicion, duke qenë se është lojtar i lirë. Salihi ka mbyllur dyert për kalimin te Shturmi me një përgjigje të thatë “nuk shkoj te Shturmi, nuk ka asgjë të vërtetë”. Bogdani duket më pranë largimit nga Çezena. Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, shtatlarti kuqezi mund të përfundojë si hallkë në afrimin e Gezalit nga ekipi bardhezi. Por, që kjo tratativë të përfundojë, duhet edhe miratimi i lojtarit.