E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roig: Barca e Reali po e dëmtojnë futbollin spanjoll

Presidenti i Villarrealit, Fernando Roig, ka kërkuar ndryshime në futbollin spanjoll në mënyrë të tillë që ai të mos jetë vetëm një shou i Real Madridit dhe Barcelonës. Ky paralajmërim i Roig vjen pasi ekipi i tij u mposht me rezultat 5-0 nga Barcelona, ndërsa Real Madridi mposhti me rezultat 6-0 ekipin e Zaragozas në ndeshjet e javës së parë të sezonit të ri në La Liga. “Kjo është liga që dëshironi. Unë shes lojtarë për të balancuar buxhetet, por të tjerët kërkojnë kredi dhe e marrin atë. Nëse dëshironi që liga të ketë vetëm dy ndeshje të mëdha, atëherë edhe do të ketë vetëm dy ndeshje, por kjo nuk është e mirë për futbollin”, ka shpërthyer kreu i “kanarinave” që pasi ka shitur Santi Kacorlan apo Johan Kapdevijan, ka shumë boshllëqe në skuadrën e tij. “Unë jap tre deri në katër vite kohë. Ose kjo situatë do të ndryshojë ose ne po e vrasim futbollin spanjoll. Ne kishim oferta për Xhuzepe Rosin dhe Nilmar, por largimet e tyre do ta kishin dobësuar ekipin. Dallimet ekonomike janë ato që çojnë te kjo”, ka thënë Roig.

Ndërkohë, trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola është shfaqur i lumtur pas fitores 5-0 ndaj Vilarealit. “Ne kishim vetëm një mbrojtës të vërtetë (Abidal) dhe ideja ishte që të luanim me topin nëpër fushë me shumë lojtarë në qendër të fushës. Pas superkupave, kjo ishte një ndeshje e vështirë për të filluar sezonin dhe jemi shumë të kënaqur. Nëse do t’i kishim të gjithë lojtarët në dispozicion, ndoshta nuk do ta kishim ndryshuar sistemin”, ka thënë Guardiola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›