E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coppola: Do të doja të takoja dikë nga këto treva, pse jo Pirron e Epirit

SHKRUAN: Ilda Lumani 01-09-2011 13:36

I veshur me ngjyra të lehta me një kapele bezhë, Francis Ford Coppola ka zbritur nga limuzina përpara teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ndërsa ka parë turmën, që e priste, artdashës, kineastë dhe median, me një përshëndetje fisnike, ka hequr kapelen dhe ka përshëndetur njerëzit, ndërsa entuziazmi i lexohej në fytyrë. Edhe më tepër është ndjerë i tillë kur salla e teatrit është ngritur në këmbë me duartrokitje për regjisorin, skenaristin dhe producentin Coppola. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ai vjen në edicionin e katërt të Festivalit të Filmit në Durrës, pasi ka martuar vajzën e tij, regjisoren e famshme, tashmë konkurrente e tij, Soffia Coppola. “Faleminderit për këtë pritje të ngrohtë. Dekada më parë, kur ekzistonte ende ish-Jugosllavia, nga Bruklini shkova në Dubrovnik për të bërë disa xhirime. Kur u largova, kalova në vendin tuaj. Hodha sytë dhe e pashë… Por siç e dini, atëherë ishte e vështirë të vija. Jam këtu sot dhe mund të flasim për kinemanë, teknologjinë, librin, produksionin dhe çfarë do teme që preferoni. Jam i lumtur tek shoh këtë sallë plot me të rinj, dhe shoh tek sytë tuaj energjinë tuaj”, ishin fjalët e para të Coppola-s në seancën prej mbi një ore pyetje-përgjigje, që ngjalli mjaft interes.

Filmat e rinj

Coppola, gjatë festivalit do të prezantojë dy filmat e tij të rinj, “Tetro” dhe “Rini pa rini”. “Pas pesë ditësh, pasi të iki nga Shqipëria do të prezantoj dhe një tjetër film. Janë pra, tre filma të rinj të mi, ku jam producent edhe vetë, i kam realizuar filmat me buxhetin tim. Do ti cilësoja filma personal, shpirtërorë, atë çfarë kam bërë që në fillim të karrierës sime”. Ka vijuar kështu të rrëfejë fillimet e tij Coppola, ndërsa ka pohuar se në fillim e nisi me shkrimin, pastaj me teatrin. “Pikërisht, një ditë në teatër, vura re dikë atje lart që ndiqte me tension punën tonë në skenë. Ajo drita atje shkëlqeu dhe unë e dëshirova dhe atë ditë vendosa të bëhesha regjisor. Kam qenë ndër të parët që shkova në shkollën më të mirë kinematografike në Los Angelos dhe aty bëra dy filmat e mi të parë. Ishte një diçka krejt origjinale ajo që kisha bërë dhe ishte një gjë që nuk e kishte bërë askush më par녔

“Kur isha 67 vjeç mora një vendim për t’u larguar nga filmi i madh dhe për t’u kthyer sërish tek filmi personal, ai i vogli. Kështu kam nisur të xhiroj filma me buxhetin tim personal, por që vijnë nga histori personale, që ja vlejnë për t’u ndarë me publikun. Me një sens humori, Coppola 72 vjeç u shpreh se ndihej mjaft i ri. “ Për mendimin tim, mosha e preferuar është 50 vjeç. E unë vazhdoj të jem aq, ndonjëherë edhe shumë më pak (qesh). Në fund të fundit, mendoj se e mira është që kur njeriu të jetë plak t’i thotë vetes, a ja vlen ta kujtosh të kaluarën?

Pirro i Epirit

Pyetjes së producentit dhe regjisorit tjetër botëror Jan Harlan, se kë do të dëshironte të takonte në Shqipëri, Coppola iu përgjigj se “Jam në Shqipëri dhe sigurisht do të doja të takoja një nga këto treva. Pse jo Pirron e Epirit? Madje do t’u tregoj një histori. Pirro pëlqente shumë kopshtin dhe kishte një të tillë mjaft të bukur para shtëpisë. Ndërsa fliste me filozofin e tij i tha: Dua të bëj edhe një luftë dhe pastaj dua të vij të shijoj kopshtin tim. Filozofi i tha- po përse shkon në luftë, shijoje që tani kopshtin. Por Pirro i tha se ishte edhe një luftë që duhet ta fitonte dhe kështu, iku në atë luftë ku edhe vdiq. Fabula e kësaj historie të vendit tuaj është se duhet të shijoni kopshtin dhe mos shkoni në luftë”, u shpreh Coppola duke impresionuar të pranishmit për kuriozitetin që dinte për Pirron ilir.

Kumbari

Kryevepra e tij dhe e kinemasë botërore, “Kumbari”, ishte një tjetër temë bisede. “Kumbari pati suksesin që unë as nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë. Por ai ishte një sukses i kinemasë në tërësi, dhe jo thjesht një sukses i imi personal. Dimensioni i tij e kapërceu emrin tim. Por nga një anë kjo gjë më bëri pak keq, pasi më tërhoqi nga filmat personal që unë kisha dëshirë të bëja në atë kohë”. Më tej, Coppola, pyetjes nëse do të bënte ndonjë Kumbar 4, iu përgjigj se “Disa filma janë të mirë nëse bën vetëm një. Nëse bën një sagë të tepruar, atëherë atë e kthen si një produkt, siç është Coca Cola. Sigurisht ka pasur një strategji marketingu për të bërë Kumbarin 2 dhe 3. Kur mu propozua filmi i tretë, unë isha shumë poshtë financiarisht dhe kështu që u afrova pa e zgjatur”.

Apocalypse Now

“Apocalypse Noë” një nga sukseset e mëdha të Coppola, nuk ngeli jashtë vëmendjes së audiencës. “Ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Ka diçka me Hollivudin, kur ke pasur 2-3 suksese pretendon se producentët do të të ndjekin ty, por nuk ndodh aspak kështu. Kur nisa filmin qëllimi kryesor ishte të bëja një film për luftën në Vietnam, tmerrësisht të madh dhe të fitoja para në mënyrë që më pas të bëja filma vetë me ato para. Unë guxova dhe mora gjithë pasurinë time, supermarketin e bashkëshortes, vreshtat që kisha blerë i hipotekova dhe i vendosa në bankë, por ndodhi ajo që dihet. Filmi u bë tmerrësisht i shtrenjtë dhe rrugës buxheti u rrit katër herë më tepër. Isha afër 40 vjeç dhe çdo pasuri e imja i shkoi bankës. Ndërsa xhironim, filmi ndryshonte dhe u bë më surreal sesa e kisha menduar. Fundi i filmit po më dukej i zakonshëm. E humba tërësisht mendjen. Por pas 10 vjetësh ai u bë aq i njohur, sa të gjithë ata që më quanin të çmendur, më quajtën pastaj madhështor”, - tregoi eksperiencën e vështirë që pati me këtë odise, Coppola.

Familja

Coppola ka rrëfyer edhe për familjen e tij, e cila tashmë po kthehet në një sagë Coppola në regjisurë. Pas së bijës Soffia edhe mbesa Gia po ndjek rrugën e gjyshit. “ Unë kam krijuar familjen që 22 vjeç dhe kam bërë shumë mirë. Kudo që xhiroja, familja ishte me mua dhe madje i fusja fëmijët në xhirime kur kisha nevojë për prezencë të turmës. Kështu që nuk kishte si të mos ndodhte që ata të mos të dashuroheshin me kinemanë. Unë do t’u jepja disa këshilla kineastëve të rinj. Martohuni të rinj se nëse ke familje, je dhe më i përgjegjshëm. Bëhuni biznesmenë ose mbani edhe një punë të dytë, pasi filmi nuk u bën me para asnjëherë. Kineasteve femra u them të mos martohen nëse duan të bëjnë karrierë. Edhe ime bijë Soffia u martua , pasi u bë e famshme si regjisore. Unë jam i lumtur për Soffinë, por më tepër jam për mbesën, Gia Coppola, e cila ka realizuar tashmë tre filmat e saj. Po ju zbuloj diçka, edhe ime shoqe do të bëjë një film. Ajo xhiron dhe është operatorja më e mirë që kam njohur. Por duhet të nxitojë të bëj ndonjë film se, pastaj do plaket dhe nuk do vrapojë dot në shesh xhirim”.

Pas këtij takimi, Coppola, u prit në një takim tjetër nga Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako dhe Këshilli Bashkiak i Durrësit. Nesër ai pritet të ketë një takim me shkrimtarin e madh Ismail Kadare .

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›