Pistolete kunder ekipit, Flamurtari kerkon hetim

(SPORT EKSPRES) - Ngjarja e ndodhur në Laç, kur në pushim të ndeshjes ndërmjet vendasve dhe Flamurtarit, futbollistët vlonjatë janë kërcënuar, madje edhe me armë nga drejtuesit e skuadrës së shtëpisë, ka sjellë dje reagimin e të gjithë komunitetit sportiv vlonjat, duke filluar që nga Bashkia, e duke përfunduar me vetë futbollistët që kanë qenë në atë ndeshje.
Klubi- Në një deklaratë për mediat, në mungesë të sekretarit Çipi (i dënuar nga komisionet disiplinore të FSHF-së), Drejtori i Turizmit dhe Sporteve në Bashki, Ilir Metaj, i shoqëruar nga kapiteni i Flamurtarit, Sakaj, dhe futbollistët Kuqi, Grami dhe Strati, kanë reaguar pas ngjarjes së Laçit. “KF Flamurtari, - ka thënë drejtori Metaj, - denoncon ngjarjen e rëndë të ndodhur në pushim të ndeshjes me Laçin. Përfaqësues të KF Laçit kanë hyrë në dhomat e zhveshjes së futbollistëve vlonjatë, duke ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj tyre, në veçanti ndaj futbollistit të Flamurtarit, Migen Memelli. Situata ka qenë mjaft e acaruar dhe tensionuese për pjesën më të madhe të 15 minutave të pushimit. Në këto kushte është kontaktuar me telefon kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Shpwtim Gjika, që për arsye shëndetësore ndodhet jashtë shtetit. Ka qenë pikërisht vendimi i Gjikës, që ekipi i Flamurtarit të vazhdonte me qetësi dhe vetëm formalisht pjesën e dytë të takimit, sepse tashmë nuk ishin më primare loja e bukur dhe pikët e marra në fushë, por integriteti fizik i gjithë stafit dhe futbollisteve vlonjatë”, kanë qenë fjalët e Metajt. “Na vjen keq në radhë të parë që kjo ngjarje e rëndë ndodh pikërisht në stadiumin e Laçit, i cili në qytetin tonë u prit në mënyrë të shkëlqyer, si edhe është tradita e vlonjatëve. Gjithashtu, theksojmë se kjo ngjarje e rëndë ndodh në kundërshtim të plotë me rregulloren e FSHF-së dhe vë në dyshim integritetin moral të këtij kampionati. U takon zotërinjve të FSHF-së të jenë mburojë e rregullave të lojës, duke i bërë ato njësoj të vlefshme për të gjithë dhe, duke mos vepruar si në rastin e "ligjit në dorë të Maliqit". KF Flamurtari është duke vlerësuar me seriozitetin e duhur dhe maksimal hapat e mëtejshme që do të marrë pas kësaj ngjarjeje, por, patjetër që fjalën e fundit do ta thotë vetë kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, që, siç thashë edhe më lart ndodhet jashtë shtetit, për arsye shëndetësore. Zemra e Flamurtarit është e madhe, ashtu sikurse e gjithë vlonjatëve. Zotërinj të FSHF-së tregoni se keni mendjen e hapur për të gjykuar”, ka vijuar në deklaratën e tij Metaj.
Ngjarja- Duke iu referuar ngjarjes, është saktësuar se gjithçka ka ardhur pas një thirrjeje të Memellit, drejtuar shokëve të tij, për të luajtur në pjesën e dytë fort në kërkim të rezultatit. Ka qenë kjo thirrje, që ka acaruar përfaqësues të ekipit të Laçit (mes të cilëve duket se ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të këtij ekipi), të cilët i janë drejtuar sulmuesit të Flamurtarit, duke e kërcënuar madje edhe duke vënë dorën tek arma. Për këtë qëllim ekipi i Flamurtarit do të jetë në heshtje të plotë, deri në saktësimin e ngjarjes dhe fjalës së kryebashkiakut Gjika. Metaj ka saktësuar se, edhe trajneri Magani nuk kishte ç’të bënte në ato momente, kur natyrisht e rëndësishme ishte vetëm jeta e futbollistëve dhe jo rezultati në fushën e lojës. Por natyrisht ka kërkuar ndërhyrjen e FSHF-së, për të zbardhur deri në detaje këtë ngjarje, me të vërtetë shumë të rëndë, jo vetëm për Flamurtarin, por për të gjithë futbollin shqiptar, që çon tashmë në kërcënimin e futbollistëve në dhomat e zhveshjes, madje deri edhe tek arma, në këmbim të lojës dhe rezultatit që kërkojnë me çdo kusht drejtues të ekipeve.
Burimi: Albania-sport.comE Diele, 14 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili