E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kundërpedal” i një pretendimi

(Isuf Myrtaj,  SPORT EKSPRES) -  Laçi- Flamurtari. Ora 13:00. Mbërritja e mjetit me stafin dhe futbollistët miq. Autobusi hap dyert dhe i gjithë kampi vlonjat futet në dhomën e tyre të zhveshjes. Aty ku në derë shkruhet “Miqtë”. Në krahun tjetër, në të majtë, në largësi rreth 3 metra është e instaluar ajo e vendasve. Në mes, dhoma e arbitrave, ku Janku kryesor, me ndihmësit dhe të katërtin Breshanaj po bëhen gati. Jashtë në një kënd të fushës, vëzhguesi Shestani dhe diku më larg i deleguari i FSHF-së, Maçi. Bie shi, tifozët vonojnë. Ora shkon 13:30 kur të dyja skuadrat dalin në nxemje. Nis hyrja për personat VIP e bashkë me ta dhe një numër i konsideruar “abonentësh”. Pa llogaritur këtu kamerat e Supersport me punonjësit e tyre. Ndër të parët në tribunë figurojnë shefi i klubit Geri Çipi, dhe disa anëtarë të bordit mik nga Vlora. Në “kolltuqe” zënë vënd prefekti i qarkut Lezhë, Dajçi, e kryebashkiaku i Laçit, Isufi. Gazetarët në detyrë janë po ata… Disa dhjetëra që pak më parë, kanë marrë formacionet e sfidës. Njerëzit në kahun tjetër, shkallët karshi, popullohen shpejt. Janku nuk del në shi, por nga ballorja e dhomave të zhveshjes në skajin jugor të impiantit vërshëllen. Skuadrat duhet të rimarrin urdhërat e tij për të nisur.

Ora 13:55, Laçi e Flamurtari futen në terren. Shtrëngim duarsh, ndonjë foto e çastit, dhe me pas bilbili i kryesorit Albano Janku. Laçi shënon pa u mbushur 120 sekonda lojë. Goli i dytë për bardhezinjtë, në 6’. Në shkallë ka duartrokitje dhe nga tribuna fillojnë diskutimet e para. “Fansat paskan pasur të drejtë me lançimin e dy banderolave: “Laçi, ëndrra evropiane” dhe “ Nimani, “Mesi” i Laçit”. Në pushim shkohet me shifrat 3-2. Ka kohë për kafe dhe shumë nga ata që e kanë me “orar” këtë ves, i drejtohen lokalit më të afërm. Për të shkuar tek ai detyrimisht do të kalohet pranë dritareve të sportistëve. Kthim i shpejtë. Në fushë luhet me aksione të ndërsjellta. Flamurtari në minutat 30’-40’ shihet shumë kërkues, por rastin ideal e ka i riu Marashi, i cili ka goditur shtyllën e Moçkës. Asgjë! Pas tri minutave shtesë, kryesori Janku ka legjetimuar fundin. 3-2 për Laçin. Futbollistët në dhomat, ku i pret dushi, dhe teknikët para mikrofonëve. Ia nis Nica… “Ndeshje e fituar..”etj etj. Pas tij Magani: “Gjendja në tabelë, na ka detyruar të kërkojmë domosdoshmërisht pikë në Laç. U shokuam nga dy gola të shpejtë dhe u përpoqem të rihapim ndeshjen”. Tjetër gjë nuk tha askush. As vetë Memelli, i cili, me sa u pa të premten, i kishte harruar miqtë e 2004-05 që njohu në pak javë, kur luante për Laçin. Të gjithë në shtëpi, përveç presidentit Laska, homologut të tij Djala i Kastriotit, trajneri i Flamurtarit Magani, Ndreu i Kastriotit, Bruka nga Lezha. Janë bashkuar disa tavolina në lokalin përbri stadiumit për të përballuar dhe të tjerë miq. Ka kafe... Në fund të fundit sporti, është miqësi….!

Burimi: Albania-sport.comE Diele, 14 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›