E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pjanic kercenon Shqiperine

Në stadiumin e zjarrtë të Zenicës po na përgatisin një ferr, që për ta duhet të jetë një spektakël. Miralem Pjaniç, mesfushori i shkëlqyer i Lionit, beson se përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës është e pathyeshme në stadiumin “Bilino Polje”, aty ku do të presë Shqipërinë më 7 qershor, në ndeshjen e radhës eleminatore të Euro 2012.

Më parë, boshnjakët vizitojnë Bukureshtin ku luajnë të premten ndaj Rumanisë vendase, po në Euro 2012, ndërsa të martën presin vizitën kuqezi në fushën e tyre.
“Mendoj se një pikë në Rumani është mjaft e mirë, - e nis Pjaniç duke folur më parë për ndeshjen në Bukuresht, - ne do të luajmë për fitore, por edhe një pikë do të ishte e mjaftueshme që të shkojmë të qetë në ndeshjen në Zenicë, në fushën tonë ndaj Shqipërisë”.

“Besoj se stadiumi i Zenicës do të jetë i mbushur plot dhe jam i sigurt se do të jetë një spektakël i tifozëve tanë që do të na ndihmojnë të fitojmë ndaj shqiptarëve. Në atë fushë mund të fitojmë me këdo”, - vazhdon komentin e tij Pjaniç.

Bosnjë-Hercegovina jeton në një atmosferë euforie pasi u miratua statuti i duhur nga Federata vendase dhe pasi FIFA ia hoqi pezullimin që i kishte vendosur që më 2 prill. Duke pasur 7 pikë pas 4 takimeve eleminatore, skuadra e drejtuar nga Safet Sushiç është në pozita shumë të mira për të synuar finalet e mëdha që do të zhvillohen në Ukrainë e Poloni. Shqipëria ka 7 pikë pas 5 ndeshjeve, ndërsa Rumania 5 pikë po pas 5 takimeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›