Pjesa më e madhe e bizneseve në vend është krijuar pas vitit 2005
Nevoja për një lexim të vëmendshëm të statistikave
Faqet ekonomike të gazetave janë përgjithësisht dhe kudo në botë për pak lexues të specializuar e kryesisht të formuar në ekonomi, financë dhe menaxhim. Prandaj disa lexues mund ta kenë humbur një detaj të një lajmi interesant të këtyre ditëve të fundit, kur kreu i INSTAT, znj. Ines Nurja theksoi se: “Pjesa më e madhe e bizneseve në vend është krijuar pas vitit 2005. Në total, në gjithë Shqipërinë janë 97.436 ndërmarrje”. Dhe detaji interesant është që pjesa më e madhe e sipërmarrjeve në vend kanë ardhur pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga ana e PD-së dhe implementimin e një regjimi ekonomik që ka favorizuar krijimin e bizneseve të reja të mesme dhe të vogla, që janë lokomotiva e ekonomisë.
Kuptohet vetiu rikthimi i legalitetit, i arrestimit të disa bandave në vend dhe kontrollit të mirë doganave favorizuan një klimë më miqësore për biznesin. Vendi ynë ka ndryshuar shumë pas 2005, sidomos nga ana ekonomike dhe sot ia ka dalë t’i rezistojë me sukses furisë së krizës financiare që kanë përfshirë sidomos fqinjët e Shqipërisë dhe gjithë botën. Sot dy vendet fqinje Greqia dhe Italia janë në një recesion të thellë dhe shumë afër falimentimit për shkak të paaftësisë për të mos respektuar marrëveshjet dhe shlyerjen e borxheve të marra në vite. Padyshim që përfshirja në krizë e dy vendeve fqinje, me të cilët kemi marrëdhënie tregtare dhe bankare, kanë ndikim në ngadalësimin e ekonomisë reale shqiptare.
Megjithatë sot rritja ekonomike e Shqipërisë edhe pse jo sa do të dëshironim e përballon krizën e shumëfishtë me një sistem fiskal të kujdesshëm dhe një qeveri të vogël. Shqipëria ka patur një sjellje të shëndetshme dhe të suksesshme në këtë kohë krizash dhe sot është një ndër ekonomitë e rralla që e ka përballuar krizën dhe ka ma mundur të mbajë një rritje ekonomike. Borxhi publik rreth 60% i Shqipërisë po mbahet në të njëjtat nivele dhe nga përbërja e tij cilësohet borxh i shëndetshëm. Statistikat dhe raportet e Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria ka bërë progres në lirinë ekonomike, në një kohë kur liria ekonomike në botë ka pësuar regres. Ketë fakt e ka komentuar dhe kryeministri Berisha në një mbledhje qeverie: “Shqipëria i shpëtoi recensionit falë lirisë ekonomike, por në kushtet e krizës së borxheve që ka mbërthyer eurozonën dhe më gjerë, qeveria shqiptarë do të thellojë reformat në këtë drejtim”.
Sidozot vendi ynë paraqet një situatë mjaft të mirë ekonomike edhe në aspektin e kursit të këmbimit, në legjislacionin rregullator për shitjen e pasurive të paluajtshme, në lirinë e posedimit të llogarive në valutë, në vlerën e inflacionit dhe deviacionin standard të tij, në taksën e të ardhurave, në shpenzimet e “kursyera” të qeverisë, në stabilitetin, konsolidimin dhe konkurrueshmërinë e sektorit bankar. Statistikat tregojnë gjithashtu se tendencat e eksportit të kompanive vendase eksportuese kanë pritshmëri të mira deri në fund të vitit, përtej ndikimit të faktorëve sezonalë të stinës së verës apo ato të sektorit të energjetikës, situatë kjo që do të çojë edhe më tej në një ngushtim të deficitit të eksporteve neto.
Gjithashtu të gjithë treguesit ekonomikë të vendit tonë janë kryesisht pozitivë, pavarësisht faktorëve të pafavorshëm të gjeneruar nga ambienti i jashtëm ekonomik. Shqipëria ka vijuar të shënojë një rritje ekonomike gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 dhe duket se zhvillimet negative që po ndodhin në Bashkimin Europian apo edhe rënia e vlerësimit të ekonomisë amerikane nuk pritet të krijojnë ndryshime domethënëse në tregun vendas.
Në përfundim besojmë se qeveritë e djathta arrijnë të krijojnë vende pune dhe të menaxhojnë më mirë krizat ekonomike. Fakti që dy qeveritë më të mëdha të Europës, si Gjermania dhe Franca, kanë qeveri të djathta tregon përshtatshmërinë më të madhe me ligjet e tregut të lirë.