Pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje, larg standardeve të kërkuara

Sa më shumë që Kosova do ta kalojë tranzicionin, aq më pak do të ketë nevojë për shoqëri civile. Kështu ka thënë të mërkurën zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në tryezën me temën "Pjesëmarrja qytetare në Kosovë", e organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur. Ai ka thënë se për Qeverinë e Kosovës është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes.
Kuçi ka theksuar se Qeveria e Kosovës e pranon logjikën e bashkëpunimit me shoqërinë civile në tri drejtime, atë të partneritetit, konkurrencës dhe të korrektimit të Qeverisë nga shoqëria civile.
“Ne pranojmë një logjikë, logjikën që me shoqërinë civile kemi tri drejtime bashlëpunimi, e para jemi parntrer ngase edhe ne edhe shoqria civile së paku publikisht thenmi se i mbrojmë interesat e qytetarëve. E dyta pranojmë që jemi konkurrent, ka mendime dhe propozime që jep shoqëria civile ka ide, ka profile politike, ka ideologji nga njerëz që udhëheqin që nuk mbështesin një qëllim të tillë dhe reflekton pastaj në reagimin qytetar, në veçanti në vota, dhe e treta jeni korrektues të punës sonë. Arsyeja kryesore pse jeni korrektues, është se jeni taksapagues dhe taksapaguesi është edhe korrektues. Por shoqëria civile është rezultat i tranzicionit, sa më sumë që e kalojmë tranzionionin, më pak ka nevojë për shoqëri civile”, ka thënë Kuçi.
Ndërkaq, udhëheqësi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Khaldoun Sino ka përmendur aspekte të ndryshme të rolit të rëndësishëm që luan shoqëria civile në një shoqëri që është në tranzicion, mirëpo ai ka kërkuar konstruktivitet nga shoqëria civile në Kosovë.
“Shoqëria civile duhet të ketë një qasje konstruktive dhe profesionale karshi qytetarëve, karshi institucioneve qeveritare. Prandaj është me rëndësi që të zhvillohen diskutime të jenë konstruktive, dhe pragmatike dhe të përmbahen nga polemikat. Është lehtë të thuash, por është vështirë në praktikë të bëhet lidhja ndërmjet shoqrisë civile dhe politikanëve. Por kjo duhet të jetë udhëzim që ju drejton në punën tuaj”, ka thënë Sino.
Konferenca e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KCSF) është në kuadër të aktiviteteve të këtij fondacioni për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe për të diskutuar arritjet dhe sfidat kryesore drejt krijimit të mekanizmave funksionalë, që e lehtësojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në punën e autoriteteve publike në Kosovë.
Me këtë rast, nga drejtuesit e këtij fondacioni janë prezantuar edhe tri publikime të KCSF-së: Pjesëmarrja qytetare në Kosovë, Praktikat më të mira europiane të pjesëmarrjes qytetare dhe një udhëzues për procesin e konsultimeve publike.
Drejtues të KCSF-së vlerësuan se përkundër disa zhvillimeve pozitive në avancimin e kornizës ligjore në këtë fushë, pjesëmarrja qytetare në Kosovë mbetet ende larg standardeve të kërkuara evropiane.
Sipas tyre, vullneti politik për t’i përfshirë qytetarët në vendimmarrje, korniza adekuate ligjore dhe kapacitetet e shërbyesve civilë për këtë proces, mbeten sfida që duhen adresuar nga institucionet e Kosovës.