Thaçi thotë se është keqinterpretuar

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë të mërkurën se ka qenë një keqinterpretim dhe keqinformim lidhur me qëndrimin e tij karshi bisedimeve politike me Serbinë. Ai tha se bisedimet politike nuk janë në agjendën e Prishtinës, Uashingtonit dhe Brukselit, por ato mund të ndodhin nëse bëhet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi ripërsëriti sot edhe një herë qasjen e Kosovës për politikë të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe se Prishtina nuk kundërshton takimet për të biseduar për çështje teknike me Serbinë që kërkojnë zgjidhje.
Kreministri theksoi se bisedimet politike nuk janë në tavolinën e Prishtinës, Uashingtonit dhe as Brukselit. Ai tha se ka qenë një keqinterpretim dhe keqinformim lidhur me qëndrimin e tij karshi bisedimeve politike me Serbinë.
“Ne do të jemi të përgjegjshëm në obligimin ndërkombëtar që kemi për çështje teknike. Por sa i përket çështjes konkrete që ju pyetët kjo mund të ndodh vetëm si dy shtete sovrane dhe të ndodh njohja reciproke. Dëshiroj të qartësoj njëherë e përgjithmonë se dialog politik nuk ka, ato kanë qenë keqinterpretime apo keqinformime të ndryshme. Ne do respektojmë obligimet ndërkombëtare dhe dëshiroj që kjo çështje përmbyllet njëherë e përgjithmonë. Dhe mos humbisni kohë fare me këtë çështje”, ka thënë ai.
Gjithashtu kryeministri Thaçi e ka vazhduar me vlerësimet e tij se zgjidhja më e mirë mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte njohja reciproke si dy shtete të pavarura për njëra-tjetrën, sepse kështu do të ndodhte edhe integrimi më i shpejt në NATO dhe BE.
I pyetur edhe lidhur me faqen më të klikuar në botë “Google”, e cila dje në Kosovë hapej në gjuhën serbe, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se ka pasur lëshime teknike, por institucionet do të bëjmë përpjekje që mos të ndodhin më aso lëshime. (Kosovapress)