Kuçi: Procesi në veri, i vështirë, por i pandalshëm

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka vlerësuar pozitivisht qëndrimet e ndryshme të subjekteve politike në Kosovë, duke mos e konsideruar këtë si mungesë të unitetit të faktorit politik në Kosovë, sidomos sa i përket çështjes së veriut. Ai ka thënë se procesi në veri është i vështirë, por i pandalshëm.
Kuçi ka thënë se është me rëndësi që të gjitha subjektet politike të japin mendimet dhe argumentet e tyre, porse në demokraci është shumica ajo që vendos.
“Në vendet demokratike janë të natyrshme dhe sot vetëm në Korenë Veriore mund të shihni një mendim dhe s’ka tjetër. Por çka është me rëndësi, të gjithë i japin mendimet e tyre, argumentet e veta, por çdokund në demokraci shumica vendos”, ka thënë ai.
Kuçi nuk ka dashur t’i shtojë asgjë më shumë asaj që ka thënë kryeministri sa i përket bisedimeve politike me Serbinë.
Ndërkaq i pyetur nëse duhet të kalojë në Kuvend çështja e bisedimeve politike me Serbinë, Kuçi ka thënë se nuk dëshiron të jap përgjigje hipotetike, por ai ka siguruar se çdo vendim i institucioneve do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me vendimet e Kuvendit të Kosovës.
Sido që të jetë, Kuçi ka theksuar procesi në veri të Kosovës është i pandalshëm dhe se atje do të ketë rend dhe ligj.
“Atje do të ketë rend dhe ligj, atje do të ketë demokraci do të ketë zhvillim ekonomik. Është një proces i gjatë, një proces i vështirë, por i pandalshëm”, ka thënë ai.