Dick Marty tërhiqet nga jeta politike

Dick Marty krejt në mënyrë surprizë është tërhequr nga jeta politike.
Marty merr pjesë këtë javë në mbledhjen e fundit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Raporti i tij për krimet e luftës në Kosovë e bënë deputetin zviceran mjaft të njohur në Shqipëri dhe Kosovë.
Marty e ka bërë publike tërheqjen në një intervistë për portalin swissinfo.ch.
Në këtë intervistë ai rikonfirmon se ato që janë pasqyruar në raportin e KiE-së së hartuar prej tij për trafikim të organeve janë të vërteta që duhen zbardhur.
“Me raportin tim për KiE-në, unë thashë me zë të lartë atë që ne dinim. Unë nuk kam marrë ndonjë përfitim personal nga kjo. Mendoj se populli i Kosovës ka të njëjtin interes në njohjen e së vërtetës dhe të ketë një demokraci transparente. Nuk ka drejtësi, pa të vërtetën dhe nuk ka demokraci pa drejtësi. Ekuacioni është, sipas mendimit tim, shumë i thjeshtë”, shprehet ai në intervistë dhënë për swssinfo.ch.
Ai ka një karrierë 12 vjeçare në Këshillin e Evropës. Në vitin 1998 ai u zgjodh anëtarë i Këshillit të Evropës nga radhët e Aleancës së Demokratëve Liberal për Evropën ndërsa që prej vitit 1995 është anëtar i Këshillit të Shtetit në Zvicër. /shekulli/