E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, shemben 12 objekte pa leje, nis shtrimi i trotuareve

Rreth 12 ndërtime pa leje u shembën dje nga Inspektorati Ndërtimor në Bashkinë e Shkodrës në një nga rrugët kryesore, nga sheshi i Radio Shkodrës, deri tek rektorati i Universitetit Luigj Gurakuqi. Shefi i Inspektoratit Ndërtimor, Roland Çomo tha se aksioni është përqendruar në njësitë tregtare në të dy anët e rrugës, të cilët jashtë rregullave dhe normave të caktuara nga bashkia kishin dalë me shtesa të formave të ndryshme, duke u bërë problem për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Burime zyrtare nga drejtoria e Shërbimeve në Bashkinë e Shkodrës thanë se me prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilat kishin bllokuar një pjesë të madhe të sipërfaqes së trotuareve, po vazhdon menjëherë puna për zbatimin e projektit për shtrimin e trotuareve me pllaka dekorative si dhe të bordurave anësorë. Përfundimi i punimeve pritet t'a transformojë krejt rrugën në një mjedis të kulturuar dhe bashkëkohor, me sipërfaqe të gjelbëruara dhe elementet e ndriçimit dekorativ të planifikuar për këtë pjesë të aksit kryesor rrugor të qendrës së qytetit. Shefi i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Shkodrës bëri të ditur se aksione të tilla do të jenë të vazhdueshme në zona të ndryshme të qytetit. Aksioni i radhë do të jetë në një pjesë të unazës së qytetit, ku po punohet për sistemimin e trotuareve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›