E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos në këmbë vrasësin e të atit

GJAKMARRJA

Policia arrestoi në flagrancë Bledar Krujën, të dyshuar si atentator të Ridvan Bajramit


SHKODËR - Gjakmarrja ka tentuar të shënojë viktimën e radhës në Shkodër, ndërsa një person është plagosur dy herë me armë zjarri nga gjaksi i tij. Ridvan Bajrami, 39 vjeç, banues në lagjen "Ajasëm" është plagosur me dy plumba në këmbë por për fatin e tij ai ka mundur të shpëtojë.


Si autor të ngjarjes policia ka ndaluar Bledar Krujën. I plagosuri është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë fakti se disa muaj më parë ai kishte dalë nga burgu ku vuante dënimin e dhënë prej katër vitesh, për vrasje të babait të të dyshuarit.


Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 të së dielës, në afërsi të tregut të Zdrales, pranë vendit ku po ndërtohet Myftinia, ku Bajrami po punonte me kamionin e tij.


Ndërsa ndodhej brenda në kabinën e automjetit të markës "Iveko", pranë tij është afruar i dyshuari Bledar Kruja, i cili ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të Bajramit, por vetëm dy plumba e kanë zënë atë në këmbë.


Ndërsa e ka parë të shtrirë 39-vjeçarin, autori është larguar. Punëtorët që punojnë natën për ndërtimin e objektit i kanë dhënë ndihmën e parë Bajramit, duke e dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës. Policia ka mundur të ndalojë pas rreth 4 orësh të dyshuarin kryesor si autor të kësaj ngjarjeje, Bledar Krujën.


Sipas bluve, motivi i plagosjes së Ridvan Bajramit ishte gjakmarrja. Ky i fundit i ka vrarë babanë 35-vjeçarit më 30 korrik të 2005-s. Për këtë ngjarje, e cila ishte kryer aksidentalisht, Bajrami ishte dënuar me katër vite burgim dhe kishte disa muaj që kishte dalë nga burgu. Por në polici Bledar Kruja ka deklaruar se s'donte ta vriste 39-vjeçarin, por vetëm ta plagoste.


"Po të doja ta vrisja, aty e kisha", mësohet të ketë thënë Kruja para oficerëve të policisë gjyqësore. Ndërkohë atij i është komunikuar arresti në flagrancë me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›