E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, Tatimet "kyçin" Uzinën Mekanike dhe 13 hotele

Borxhet ndaj degës rajonale të tatimeve kanë bërë që drejtues të saj të urdhërojnë bllokimin e aktiviteteve


ELBASAN - Dega Rajonale e Tatimeve në Elbasan i ka vënë kyçin dje Uzinës Mekanike, e cila ndodhet në territorin e ish-Kombinatit Metalurgjik në këtë qytet. Shkak për mbylljen e uzinës janë bërë 13,5 milionë lekë të reja të papaguara nga kjo uzinë, shuma të cilat janë kryesisht sigurime shoqërore dhe shëndetësore të punëtorëve të saj. Njëkohësisht është vendosur edhe mbyllja e 13 hoteleve në zonën e Llixhave të Elbasanit.


Sipas drejtorit të Tatimeve në Elbasan, Skënder Daja, urdhri i bllokimit të aktivitetit dhe vendosja e masës së sigurisë të detyrimeve tatimore u ndërmor pasi u konsumuan të gjithë hapat ligjorë. "Uzina Mekanike rezulton se nuk ka paguar 13,5 milionë lekë në degën e Tatimeve.


Shumat janë kryesisht sigurime shoqërore dhe shëndetësore që uzina ka për 60 punëtorët e saj. Më e keqa është se punëtorëve u është mbajtur nga paga 11,5% që duhet të derdhin për çdo muaj, por drejtuesit e uzinës nuk kanë shlyer detyrimet në shtet.


Nisur nga ky realitet u urdhërua vendosja e masës së sigurimit për subjektin Uzina Mekanike me administrator Haxhi Lushnjarin.


Vendosja e masës së sigurisë përfshin bllokimin e pasurisë së paluajtshme e të luajtshme duke bërë bllokimin e makinerive, mallrave dhe materialeve të barabarta me vlerën e detyrimit të papaguar në shumën 12 000 000 lekë nëse subjekti nuk shlyen detyrimet brenda ditës së sotme".


Daja nënvizon se ky subjekt nuk mundi të përfitojë as nga ligji për faljen e gjobave pasi nuk arriti të paguajë as principalin e mundshëm.


Burime nga brenda uzinës bënë me dije se po përpiqen që të shlyejnë detyrimet me këste për të mos shuar përfundimisht aktivitetin e uzinës. Madje, drejtori Haxhi Lushnjari shprehet se shteti i ka uzinës dhjetëra milionë lekë borxhe të cilat nuk i ka shlyer në vite.


Ndërkohë, operacioni i policisë tatimore ka vazhduar edhe në subjekte të tjera duke u përqendruar në zonën balneare të Llixhës në të cilën figurojnë 13 hotele që nuk kanë shlyer detyrimet.


"Në zonën e Llixhës janë ndërtuar mjaft hotele nga privatët, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet që kërkohen në bazë të ligjit. Ne i kemi njoftuar më parë konform të gjitha rregullave, por sot (dje) jemi detyruar të bllokojmë 13 subjekte që operojnë në këtë zonë",- bëri të ditur drejtori Daja.


Dega e tatimeve vetëm pak kohë më parë bëri të ditur listën e bizneseve të dërguara në gjykatë për shpallje falimenti. Mes tyre rezultoi të ishte edhe FK Elbasani, i cili për 3 vitet e fundit vijonte të ishte me humbje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›