Grevistët e urisë të Juridikut: Po bëhemi top mes ministrisë dhe universitetit
VLORË/ Hyn në ditën e dytë greva e urisë e studentëve të Juridikut
VLORË - "Po bëhemi topi ndërmjet ministrisë së Arsimit dhe Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës. Kështu janë shprehur dje studentët grevistë në ditën e dytë të grevës së urisë. Ata vijojnë ta shikojnë kolapsin e diplomave,si një konflikt institucional, i cili po penalizon direkt studentët.
Prej më shumë se 24 orësh studentët kanë vijuar grevën e urisë, ndërkohë që shprehen të vendosur se do ta çojnë deri në fund qëndrimin e tyre. 10 studentët e Juridikut, të ngujuar në një nga klasat e katit të parë të godinës së re universitare në Skelë, u shprehën se po luhej me ta dhe sakrificat e tyre. "Jemi përplasur vetëm në indiferentizëm, kur duam thjesht atë çka na takon: diplomën.
Edhe një certifikatë ka fotografi, ndërsa ne duan të na japin një fletë, pa foto, pa titull, e cila nuk njihet në tregun e punës, kur për të ne kemi sakrifikuar katër vite",- u shprehën studentët. Ata thonë se në orët e mbrëmjes ka ardhur zv.rektori, i cili u ka bërë thirrje të dalin, pasi këto ambiente nuk ishin të përshtatshme për grevë.
Studentët thanë se gjithashtu kishin kërkuar një përballje me të dy palët, ministri dhe universitet, por numri dy i universitetit nuk u ka kthyer një përgjigje për këtë. "Nuk kuptojmë dot as qëndrimin e rektorit. Kemi kaq kohë që po protestojmë dhe nuk po e takojmë dot. Ne kemi mbaruar këtu dhe duhet të ndihet përgjegjësia.
Kërkojmë thjesht të drejtat tona. Të na jepet diploma e vlefshme për tregun e punës dhe të mos tallen me investimin tonë",- vijojnë ata. Para dyerve të universitetit sot ka pasur dhjetëra studentët të tjerë të Juridikut, të cilët mbështesin shokët e tyre. Po kështu para dyerve të universitetit nuk kanë munguar edhe prindër.
Gjendja shëndetësore e studentëve ende nuk paraqit probleme, ndërkohë që dje të pranishëm kanë qenë edhe punonjës të policisë, të cilët kanë marrë të gjitha të dhënat e mundshme mbi zhvillimin e grevës së urisë.