E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangosen pesë mjekë për rryshfet

Tre mjekë dhe dy mami, u arrestuan dje nga policia e Tiranës, duke zbatuar vendimet e gjykatës, që i akuzon për mitmarrje


Me të prangosurit është shefi i klinikës së Obstetrisë Petrit Rexhepi. Dyshohen për korrupsion në tri raste lindjesh


TIRANE- Tre mjekë dhe dy infermiere mami, janë vënë në arrest shtëpie dje nga policia e kryeqytetit, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e kërkuar nga Zyra e Task- Forcës, me akuzat e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht dje nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, në një deklaratë për shtyp të zëdhënëses Alma Katragjini.


Petrit Rexhepi, 56 vjeç, nga Tirana, i pa proceduar më parë me profesion mjek gjinekolog, Shef i Klinikës Obstetrike, pranë maternitetit "Kiço Glozheni" në Tiranë, është prangosur nga oficerët e Antikrimit Ekonomik në vendin e tij të punës dje në mesditë.


Bashkë me të janë ndaluar Dritan Xhangolli, 38 vjeç, nga Tirana, mjek reanimator, Lefter Mano, 53 vjeç, banues në Tiranë, mjek anestezist, si dhe dy infermieret mami, Hyre Reçi, 54 vjeç, banuese në Tiranë, dhe Nilka Perhati, 57 vjeçe, nga Tirana. Të gjithë personat sipas njoftimit të policisë, janë punonjës të spitalit Obstetrik Gjinekologjik "Kiço Gliozheni", në kryeqytet.


Tre mjekët dhe dy infermieret mami, sipas burimeve të policisë, kanë përfituar para në rrugë të jashtëligjshme nga pacientë të ndryshëm, të cilët kishin për të kryer lindje normale apo lindje nëpërmjet operacioneve në varësi të që paraqiste gjithsecili prej pacientëve.


Burime të Policisë së Shtetit, pohuan dje se hetimi për zbulimin e dhe dokumentimin e veprimtarisë së paligjshme të këtyre pesë personave ka zgjatur së paku rreth tetë muaj, kohë gjatë së cilës hetuesit kanë kryer veprimet e tyre, si përgjime dhe vëzhgim të formave të ndryshme.


Nga veprimet hetimore të kryera policia ka dokumentuar së paku tri raste të mitmarrjes së mjekëve ndaj pacientëve të ndryshëm në një hark kohor prej disa muajsh.


Vetë pacientët kanë kallëzuar më parë në Zyrën e Antikorrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, veprimet abuzive të personelit mjekësor të spitalit Obstetrik "Kiço Gliozheni", në Tiranë, që në gjuhën e përditshme njihet si materniteti i ri.


Vendimi i arrestit për veprimet e mësipërme të ekzekutuara dje nga policia e kryeqytetit janë marrë, po dje nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, pas kërkesës së organit të akuzës për "arrest me burg".


Për kundër kërkesës së prokurorisë gjykata vendosi arrestin e shtëpisë për të pestë të akuzuarit, vendim që u ekzekutua po dje nga policia.


Të pesë të akuzuarit pasi janë marrë nga ambientet e spitalit ku punonin, janë dërguar fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku janë pyetur nga hetuesit për akuzën e ngritur nga prokuroria e Tiranës, për të mësuar pretendimet e tyre.


Por asnjë prej mjekëve nuk ka pranuar të flasë pa praninë e një avokati. Pas këtij veprimi, policia i ka përcjellë të akuzuarit, në banesat e tyre ku duhet të qëndrojnë sipas gjykatës deri në fund të hetimeve.


Të arrestuarit


Petrit Rexhepi, 56 vjeç, nga Tirana, i pa proceduar, mjek gjinekolog,
Shefi i Klinikës Obstetrike, pranë maternitetit "Kiço Glozheni" në Tiranë
Dritan Xhangolli, 38 vjeç, nga Tirana, i pa dënuar, mjek reaniator, në maternitetin "Kiço Glozheni"
Lefter Mano, 53 vjeç, banues në Tiranë, mjek anestezist "
Hyre Reçi, 54 vjeç, banuese në Tiranë, infermiere- mami,
Nilka Perhati, 57 vjeçe, nga Tirana, infermiere- mami.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›