E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset i riu, tentoi të përdhunojë studenten

TIRANE- Një student është arrestuar nga policia kryeqytetit, me akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë e mbetur në tentativë dhe plagosjes së lehtë të një vajze 20- vjeçare e cila ka përfunduar në spitalin ushtarak me dëmtime në këmbë.


O. Birçe, 24 vjeç, nga Vlora me banim në kryeqytet është arrestuar nga blutë e Tiranës, mëngjesin e të dielës, pasi ai është kallëzuar nga një vajzë 20- vjeçare studente në një nga fakultetet e Universitetit të Tiranës, për tentativën e përdhunimit të saj.


Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Ali Pashë Gucia", ku vajza sipas burimeve të policisë kishte shkuar me Birçen në pallatin në të cilin ky banonte.


Më parë mësohet se vajza 20- vjeçare emri i së cilës nuk bëhet i ditur, ka qenë në shoqërinë e të arrestuarit deri në orët e vona të mëngjesit duke u gdhirë dita e diel. Edhe pse i ndaluari ka tentuar të kryejë veprime joshëse kundrejt vajzës kjo e fundit megjithëse në gjendje të dehur, sipas policisë, nuk ka pranuar të kryerjë marrëdhënie me të.


Sipas burimeve të policisë i akzuari ka përdorur dhunën deri sa vajza është detyruar të shmanget nga Birçe duke rënë nga shkallët e pallatit, ku edhe ka marrë dëmtime në trup.


Më pas ajo është dërguar në spitalin ushtarak, ku edhe ka marrë mjekimin e nevojshëm për dëmtimet e marra. Policia është njoftuar nga personeli i spitalit dhe menjëherë ka mbërritur atje.


Pas marrjes së deklarimit të të dëmtuarës policia ka ndaluar të dyshuarin e krimit me akuzën e plagosjes së lehtë dhe të tentativës së kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura.

-------------------------

Shkojnë për gjah, plagos me çifte kushëririn


KORÇË- Plagos kushëririn në gjah nga pakujdesia, arrestohet nga blutë pas ngjarjes ndërsa policia nuk përjashton që ngjarja të ketë qenë e qëllimshme. Agron Agollari, ka mbetur i plagosur me armë gjahu, ndërsa sipas policisë autor i dyshuar i ngjarjes është kushëriri i tij, Vladimir Agollari.


Ngjarja ka ndodhur në një fshat të korçës kur dy kushërinjtë dhe një bashkëfshatar tjetër i tyre kanë shkuar për gjah në një zonë të dendur me pyll. Vladimir Agollari bashkë me një të afërm të tij dhe me një bashkëfshatarin e vet, kanë shkuar për gjah në pyll.


Kërkesa për të shkuar për gjah ka qenë e 46-vjeçarit Agollari, i cili ka këmbëngulur që së bashku me të të vinte dhe kushëriri i vet. Tre burrat kanë qenë së bashku në pyll, por në një moment ata janë ndarë nga njëri-tjetri në një distancë rreth 30 m.


Bimësia e pyllit ka qenë shumë e dendur, teksa gjahtari ka qëlluar në drejtim të një gëmushe duke menduar se ishte gjahu, ndonëse nuk i kishte në krah dy shokët e vet.


Goditja nga saçmat e armës së gjahut ka plagosur kushëririn e autorit të ngjarjes, shtetasin Agron Agollari i cili ka përfunduar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore në spitalin e Korçës. Më pas, ai është transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Gjithçka duket se ka qenë një rastësi fatkeqe, por policia ka nisur hetimet dhe nuk përjashton dhe mundësinë e një plagosjeje së qëllimshme.


Në shpjegimet e tij në polici i arrestuari i kësaj ngjarjeje, Vladimir Agollari, ka pohuar se nuk mund të shihte asgjë përreth nga dendësia e pyllit dhe ndaj ka qëlluar në drejtim të disa shpendëve. Por në vend të tyre ai ka çuar të plagosur në spital kushëririn.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›