Plagos te atin me thike sdo ta takoje ne spital
Një adoleshente 14-vjeçare, nxënëse e klasës së nëntë, ka qëlluar katër herë me thikë mbi të atin, duke e plagosur atë mjaft rëndë. Sipas burimeve të policisë, edhe vetë autorja ka marrë plagë nga përdorimi i mjetit të mprehtë. Policia po punon për gjetjen e shkakut të grindjes në familje që përfundoi në mënyrë tragjike.
Pasditen e së martës, rreth orës 15.50, në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit është shënuar krimi i radhës në familje. Ka qenë një adoleshente e quajtur D.B. ajo që nuk ka ngurruar dhe ka qëlluar me mjet të mprehtë të atin. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se përplasja mes vajzës dhe të atit të saj L. Bushi ka ndodhur në mjediset e shtëpisë. Duke iu referuar burimeve policore, mësohet se në debat e sipër, që ka zgjatur më tepër se 30 minuta, vajza tepër agresive kërcënonte të atin se do të vriste veten. Në këto momente, ajo merr thikën e bukës, që ishte në aneks dhe ashtu e indinjuar qëllon jo mbi veten, por mbi të atin. Më pas L. Bushi është transportuar drejt spitalit, ku mësohet se ka marrë katër plagë. Tri prej goditjeve të thikës e kanë zënë atë në shpatull dhe një në pjesën e barkut, pikërisht në kërthizë. Gjendja e tij për jetën është në rrezik dhe mjekët nuk japin shpresa. Nuk bëhet ende i ditur shkaku i kësaj ngjarje të rëndë, por burime nga policia thonë se një nga pistat është ajo e një debati të nisur si pasojë e vonesës së kthimit të 14-vjeçares në shtëpi. “Nuk dua të më flisni më për babanë”, mësohet të ketë thënë autorja.