E Diel, 1 Nëntor 2026

Shperthim ne nje farmaci ne Babrru policia dyshon per venie eksplozivi

Tiranë Hetimet përqendrohen te grindja për qiranë dhe largimet nga puna

Shpërthimi në një farmaci në Babrru të Tiranës ka tronditur mëngjesin e djeshëm banorët e zonës. Ngjarja ka ndodhur te një farmaci pranë urës së Babrrusë, ndërkohë që policia ka ngritur dy pista hetimore. Deri vonë nuk ishte saktësuar nëse ishte vendosur eksploziv apo lëndë tjetër plasëse, por është e qartë se kjo është bërë për hakmarrje ndaj pronarit të farmacisë. Burimet policore të Tiranës thanë se sapo janë njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 5, ekspertët e policisë, si dhe specialistët e antieksplozivit. Sipas të dhënave parapake, shpërthimi ka ndodhur në ambientet e farmacisë “Dajti”. Policia tha se nga kjo nuk ka pasur pasoja në njerëz, por dëme materiale. Menjëherë, grupi hetimor ka marrë kontakt me pronarin e farmacisë, i cili ka treguar dyshimet e tij, duke u shprehur se nuk kishte asnjë konflikt personal. Sipas të dhënave policore, po ndiqen dy pista hetimore për personat që kanë shkaktuar këtë shpërthim. Nga burimet mësohet se një prej pistave është ajo e hakmarrjes nga një punonjës i farmacisë, i cili është pushuar nga puna. Ndërsa pista e dytë mendohet të jetë një grindje mes qiraxhinjve. Policia shpjegoi më tej se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim policor dy të dyshuar. Policia dyshon se sasia e lëndës plasëse të ketë qenë e paktë, ndërsa eksplozivi u takon materialeve të vjedhura nga depot e ushtrisë gjatë vitit të mbrapshtë 1997. Policia ka vijuar me kontrollet për shoqërimin e të dyshuarve, ndërkohë që pronari i farmacisë ka nisur punën për të riparuar dëmet e shkaktuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›