Plagos veten ushtari i Gardës, i shkrehet arma pa dashje
Një mungesë e vëmendjes dhe loja me armën e shërbimit, ka shkaktuar një aksident të tmerrshëm që i ka rrezikuar seriozisht jetën një ushtari të Gardës së republikës i cili kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Rezidencën Qeveritare në Plazh Durrës.
Ushtari i Gardës, Altin Duka, 22 vjeç, nga Peshkopia, i cili po kryente shërbimin është vetëqëlluar me armën e shërbimit, në mënyrë të pavullnetshme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:15 minuta, pikërisht në ambientet e brendshme të Rezidencës Qeveritare, në një kohë kur 22- vjeçari ndodhej vetëm dhe nuk kishte asnjë prej gardistëve të tjerë afër. Gardisti 22- vjeçar Altin Duka ka qenë në shërbim dhe mesa është sqaruar më pas edhe nga policia për të kaluar orët e gjata të shërbimit ka filluar të luajë me armën e tij të tipit kallashnikov. Loja për pak është bërë vdekjeprurëse kur në një moment krejt pa e patur mendjen në atë që po bënte 22- vjeçari ka shkelur pa dashje këmbëzën në një kohë që arma ishte e mbushur dhe gati për qitje. Ky ka qenë moment fatal kur plumbi i kallashnikovit i ka hyrë në shpatull jo shumë larg zemrës. Oficeri i Rojës se repartit të gardistëve kur ka dëgjuar krismën është nisur me gjithë gardistët e tjerë dhe e kanë gjetur 22- vjeçarin në gjendje të rëndë të mbytur në gjak. Menjëherë oficeri dhe gardistët e tjerë i kanë dhënë ndihmën e parë duke u përpjekur ti ndalnin hemorragjinë gardistit të plagosur. Më pas Duka është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të qytetit të Durrësit kur i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të shpejtë dhe mjekët kanë deklaruar se vendi ku i kishte depërtuar plumbi i armës së vet ishte jo rrezikprurës për jetën e gardistit. Ushtari Altin Duka ishte ushtar i shërbimit të detyrueshëm të shërbimit ushtarak dhe ekspertët e policisë duke dëgjuar si vetë autorin e ngjarjes së padëshiruar ashtu edhe komandën e repartit kanë arritur në konkluzionin se ai kishte qenë duke luajtur më armën për të kaluar orët e shërbimit dhe se qitja është realizuar në mënyrë të pavullnetshme gjë që për pak i ka marrë jetën 22- vjeçarit i cili tashmë ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.