Urbanizmi, në fokus të ekspozitës "Ndërmjetësim i mundimshëm"
Piktori Vladimir Llakaj çeli në qytetin e Fierit ekspozitën me piktura "Ndërmjetësim i mundimshëm". Ekspozita e pikturës, e cila u hap në ambientet e Galerisë së Arteve Figurative mbështetet në katër shtylla kryesore: urbanistika, arkitektura, shtëpia dhe hapësira njerëzore.
Ajo u vlerësua nga të pranishmit për vlerat dhe shijet estetike, por dhe për mesazhin e qartë dhe idetë e artistit për shndërrimin dhe zhvillimin e natyrës dhe qytetërimit. Sipas piktorit urbanistika është forma e edukimit të njeriut dhe qyteti është vendi ku njerëzit jetojnë, dhe të gjithë duan një qytet të bukur, funksional dhe të veçantë. Piktori Vladimir Llakaj ka lindur në Fier në vitin 1967. Ai ka studiuar në Akademinë e Arteve në Bolonjë(Itali) për skulpturë. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita personale dhe kolektive në Romë, Bolonjë, Firence, Brindisi, etj. Ekspozita e hapur në mjediset e kësaj galerie është një aktivitet më shumë në veprimtaritë kulturore të qytetit të Fierit.