Plagoset adoleshenti. Policia, sherr për kompetencën e hetimit
TIRANE- Një 16-vjeçar u plagos mbrëmjen e së enjtes me gurë dhe shkopinj bejsbolli nga tre persona, por motivet e ngjarjes ende nuk janë të qarta. Autorët e ngjarjes janë identifikuar nga vetë i dëmtuari, por ende nuk janë arrestuar. Shkak për këtë ngatërresë të tillë është bërë plagosja e adoleshentit Fitim Peka në një zonë neutrale mes territoreve që mbulojnë Komisariati i Fushë-Krujës dhe ai Nr.5 i Kamzës. Forcat respektive të Policisë ende nuk kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore, duke ia ngecur ngjarjen njëri-tjetrit, pasi asnjëri prej komisariateve nuk pranon se ngjarja ka ndodhur në territorin e vet. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë se 16-vjeçari Fitim Peka u gjet i plagosur nga një patrullë e Komisariatit Nr.5, në afërsi të Tapizës, që është zona ku ndahet rrethi i Tiranës nga ai i Krujës. Efektivat e Policisë transportuan adoleshentin në Spitalin Ushtarak, ku u shtrua për të marrë mjekimin e nevojshëm, por i plagosuri u pyet në spital vetëm për emrat e personave që e kishin qëlluar me gurë e shkopinj, por jo rreth motiveve të ngjarjes, duke i klasifikuar si motive të dobëta. Burimet sqaruan se Peka ka treguar emrat e dy prej autorëve të ngjarjes, që sipas tij janë Klement Matoshi dhe Nik Vatnika, 20-vjeçarë, ndërsa personin e tretë ai nuk e ka njohur. E megjithëse autorët tashmë janë denoncuar nga vetë i dëmtuari, mosmarrëveshja mes forcave të policisë ka bërë që ende të mos fillojnë kërkimet për kapjen e tyre dhe nuk është bërë shpallja në kërkim. Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e 16-vjeçarit është përmirësuar dhe është jashtë rrezikut për jetën.