E Shtunë, 31 Tetor 2026

Admir Tafili korruptoi gardianen dhe kancelaren

ADMIR tAFILI I AKUZUAR PER VRASJEN E VELLEZERVE PJETRUSHI

Kancelarja e Gjykatës së Krujës, bashkëshorti i saj, avokat, dhe një efektive e policisë së këtij qyteti, dërgohen në gjyq nga Prokuroria e Tiranës me akuzën e korrupsionit dhe mitmarrjes ndaj personave të dënuar që mbahen në paraburgimin e kësaj zone.Në qendër të skemës së korrupsionit është pikërisht Admir Tafili, personazh tashmë i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve Pjetrushi në Shkodër. Kohë para se Tafili të arratisej dhe të kryente krimet në Shkodër, ish-policja e burgjeve, Adriana Xeba, akuzohet se ka hyrë në kontakt me Tafilin në Burgun e Krujës. Të dy ata akuzohen se u kanë kërkuar para të dënuarve që kërkonin transferimin nga një burg në një tjetër. Po kështu, sipas Prokurorisë, policja e burgjeve akuzohet se ka bashkëpunuar me kancelaren e Gjykatës së Krujës dhe me bashkëshortin e saj avokat, për plotësimin e kërkesave që të burgosurit bënin në gjykatë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, Adriana Xeba ka qenë punonjëse e Burgut të Fushë-Krujës, ku ka pasur kontakte me shumë persona të dënuar, të cilët ishin të interesuar për pranimin e kërkesave të bëra prej tyre në gjykatë. Pasi ka hyrë në kontakt me Admir Tafilin, i cili në kohën kur ka ndodhur korrupsioni ndodhej në burgun e Fushë-Krujës, gardiania nëpërmjet të burgosurit u ka marrë personave të afërm të shtetasit, Edison Harizaj, shumën 11 milionë lekë për dy vendime gjykate. Sipas hetimeve, nga kjo shumë, 4 milionë do të mbaheshin prej Admir Tafilit dhe Adriana Xebës, dhe pjesa tjetër do të jepej për të rregulluar punët në gjykatë. Hetimet kanë treguar se bëhej fjalë për dy vendime gjykate, për të cilat janë dhënë 150.000 lekë për vendimin e datës 19 janar 2010 për ndryshimin e llojit të sigurisë së burgut nga e lartë, në të zakonshme dhe 800.000 lekë për vendimin e dhënë në datë 27.7. 2010 për qëndrim në shtëpi. Sipas Prokurorisë, pasi merrte paratë nga të afërmit e personave, policja e burgjeve, Adriana Xeba, ka shfrytëzuar njohjen që kishte me të akuzuarën Flutura Meço me detyrë kancelare në Gjykatën e rrethit Krujë. Kancelarja e Krujës, sipas Prokurorisë, nuk është shfaqur vetë në këtë histori, por ka angazhuar shtetasin Almir Meço, bashkëshort i saj, i cili është avokat i licencuar. Ai kishte edhe një lokal pranë Gjykatës së Krujës, ku kanë ndodhur edhe shumica e takimeve informate dhe pagesave të ryshfetit. Nga metodat speciale të hetimit, Prokuroria ka provuar se policja Adriana Xeba u ka dhënë kancelares Flutura Meço dhe bashkëshortit të saj Almir Meço shuma nga paratë që ajo merrte prej personave të burgosur, në mënyrë që ata të rregullonin punët në gjykatë. Në të njëjtën skemë si në rastin e Edison Harizaj, policja e burgut të Fushë-Krujës, Adriana Xeba, ka vepruar edhe në rastin e të dënuarit Enton Nika, për të cilin i kishte folur pikërisht Edison Harizaj dhe Admir Tafili gjatë komunikimit që gardiania ka pasur në burg me këta persona. Pas dërgimit në gjyq të protagonistëve të këtyre rasteve, Prokuroria ka mbajtur në hetim një dosje të veçuar për raste të tjera korrupsioni.

Të akuzuarit

1.Adriana Xeba,
police e Burgut Fushë-Krujë

2.Flutura Meço,
kancelare e Gjykatës së Krujës

3.Almir Meço, avokat,
bashkëshorti i kancelares

4.Edmond Kalaja,
shtetas

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›