I vjedh makinën turistit italian, kapet 43-vjeçari
TIRANE – Një 43-vjeçar u arrestua nga forcat e Policisë së Komisariatit Nr.2, i akuzuar për vjedhje me anë të mashtrimit. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, mësohet se i arrestuari Albert Bajraktari, akuzohet se i ka vjedhur makinën e marrë me qera një shtetasi italian, i cili kishte mbërritur në Shqipëri dy ditë më parë për një vizitë turistike. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stadiumit Selman Stermasi, në Tiranë, mbrëmjen e së premtes. Burimet sqaruan se turisti italian kishte shkuar në afërsi të stadiumit për të marrë me qera një makinë tip Smart, pasi i nevojitej për të vizituar qytetet e Shqipërisë gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë. Pasi ka rënë dakord për makinën, Albert Bajraktari, i ndodhur rastësisht pranë shtetasit italian, ka filluar të diskutojë me të, madje duke i premtuar se do ta ndihmonte me një guidë turistike. Por më parë i ka ofruar një tjetër nder, duke i thënë se në shumicën e rasteve makinat që jepen me qera, kanë defekte dhe duhen kontrolluar më parë. Për këtë arsye Bajraktari i ka marrë makinën turistit italian, me pretendimin se do ta kontrollonte në një servis dhe më pas do ia rikthente. Pasi kanë rënë dakord për këtë veprim, 43-vjeçari shqiptar është larguar, por nuk është kthyer më, duke mos i rikthyer as makinën.